Ballina Politika 5,6 milionë euro pasuri të deklaruar, Ministrja e Shëndetësisë e pakënaqur: Është...

5,6 milionë euro pasuri të deklaruar, Ministrja e Shëndetësisë e pakënaqur: Është e ulët si mjeke që jam

111
0

“Pasuria ime e deklaruar është e ulët për nivelin e një mjeku, në fakt të dy mjekëve pasi edhe bashkëshorti ka qenë kirurg…”, u shpreh Ministrja Evis Sala përballë Blendi Fevziut. Një deklaratë që padyshim ka ngjallur debat në opinionin publik, për shkak të nivelit të jetesës në vendin tonë.

Nga një hulumtim i shpejtë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, rezulton të zotërojë asete me vlerë rreth 5.6 milionë euro, referuar deklarimit të pasurisë që është publik, si edhe të dhënave të publikuara në “Open Spending Data”.

Sipas dokumentacionit zyrtar, në deklarim përfshihen pasuritë personale të ministres, si dhe ato të familjarëve të lidhur, përfshirë bashkëshortin Gëzim Selenica dhe djalin Pier Selenica. Struktura e pasurisë bie në sy për orientimin e saj kryesisht drejt instrumenteve financiare jashtë vendit.

Në portofol figurojnë fonde investimi me vlerë disa milionë euro dhe llogari pensioni të denominuara në valuta të huaja, si dollarë amerikanë dhe paund britanikë. Krahas tyre, janë deklaruar edhe prona të paluajtshme me standard të lartë, llogari bankare, si dhe një kredi bankare aktive.

Në total, vlera e aseteve të deklaruara, që përfshin investime, depozita dhe pasuri të paluajtshme arrin në rreth 5,640,000 euro, duke e renditur ministren ndër zyrtaret me ekspozim financiar të konsiderueshëm, përfshirë edhe në tregjet kapitale ndërkombëtare.

Megjithatë, në një reagim publik mbrëmjen e djeshme, ministrja Sala deklaroi se pasuria e saj nuk është e lartë në raport me profesionin që ka ushtruar.