Ballina Kulturë Një dramë e vogël dhe heshtur për të cilën nuk do shkruajë...

Një dramë e vogël dhe heshtur për të cilën nuk do shkruajë asnjë gazetë

65
0

Nga Adrian Jorgji 

E quajnë Flora (le ta quaj kështu) dhe është nga Kosova.

Jemi fqinjë prej vitesh dhe banojmë në të njëjtën ndërtesë. E hajthme në trup, simpatike në fytyrë, me flokë të gjatë e të drejtë në ngjyrë gruri që i valëviten kur ec, ajo kalon çdo mëngjes para dritares së banesës sime në katin përdhes.

Pamja e jashtme e saj jep përshtypjen e një qytetareje, por jo. Ajo është nga një fshat i Kosovës.

Gjithnjë e shikoj duke nxituar. Sikur kërkon të shpëtojë nga diçka e keqe që e ndjek pas. Thotë se shkon në këtë apo atë kurs, por në të vërtetë ajo punon pastruese në të zezë, si shumë kosovare të tjera.

Është e martuar dhe ka tre fëmijë. Burrin ia njoh nga larg, por kurrë nuk i kam parë bashkë. Kur na rastis të ecim ballë për ballë me Florën, përshëndetemi me dashamirësi, si shqiptarë që jemi. Nganjëherë na qëllon të bëjmë një copë rrugë, duke shkuar tek stacioni i metrosë, apo duke u kthyer nga metroja në ndërtesën ku banojmë.

Flora është femër e zhvilluar. (po e quaj „femër“, pasi tashmë ajo nuk është vajzë. Por edhe grua e kam të vështirë ta quaj. Më duket sikur e rrit në moshë)

Sa herë më qëllon të flas me të, kam përshtypjen se së brendshmi ka një brengë të cilën ajo mundohet ta ndrydhë me përdhunë dhe të mos e shfaqë.

Një ditë u ndodhëm në stacionin e metrosë. Ai ishte i zbrazët, gjë që tregonte se treni sapo kishte ikur dhe duhej të prisnim dhjetë minuta, deri sa të vinte treni tjetër. Më bëri përshtypje fytyra e saj e zbehtë të cilën ishte munduar ta fshihte me rimelin e syve dhe me pak të kuq të lehtë tek mollëzat e faqeve.

Ajo pa orën e dorës dhe psherëtiu me keqardhje për trenin që nuk e kish arritur.

– E humbe orën e parë të kursit, – i thashë, pasi u përshëndetëm.

Ajo më vështroi në sy. Me sytë e mëdhenj, ngjyrë kafe të rrethuar nga rimeli. U mat të thoshte diçka. Mbase ishte në një çast sinqeriteti kur thuhen gjëra të cilat nuk thuhen në gjendje të zakonshme. Ndofta për të më thënë se ajo nuk shkonte në asnjë kurs. Se punonte pastruese në të zezë në shtëpitë e gjermanëve. Por mesa dukej, çasti i sinqeritetit kishte kaluar dhe ajo u mbyll sërish në vetvete.

– Ke kryer ndonjë shkollë në Kosovë? – e pyeta. Si një aludim të largët për punën e rëndomtë që bënte.

– Kam kryer shkollën e mesme, – tha dhe shtoi: – Në shkollë kam mësuar shumë.

Heshti për dy-tre çaste, ndofta në pritje të çastit të sinqeritetit.

– Kam dashur të studjoja në shkollë të lartë. Të bëhesha mjeke… – foli duke hedhur shikimin anash me trishtim, si për një ëndërr të bukur e cila nuk u realizua kurrë dhe mbeti thjesht ëndërr.

– Po përse nuk shkove? – e pyeta. Jo për kureshtje, por për t’iu bërë pjesë në trishtimin e saj.

– Sepse… nuk deshën prindërit, – u përgjegj me vështirësi ajo, duke hedhur vështrimin përtokë.

– Por.. përse nuk deshën? Ti the se mësoje shumë. Se deshe të bëheshe mjeke… – iu drejtova me keqardhje.

Ajo ngriti sytë dhe sikur të mos e përballonte dot shikimin sy në sy, vështrimin e hodhi sërish anash dhe heshti disa çaste si për të mbledhur guximin për t’u përgjigjur.

– Nuk më lanë të shkoja se… Baba thoshte se po të shkoja në shkollë në qytet, do bëhesha kurvë.

– Po për martesën? – e pyeta dhe nuk vazhdova më tej, duke e kuptuar papritur se kisha hyrë në një truall të ndaluar, ku nuk kisha të drejtë të shkelja.

– Më martuan sapo mbarova shkollën… Më martoi baba, – foli pa e fshehur trishtimin ajo.

– E.. e njihje ti burrin me të cilin do martoheshe? – e pyeta.

– Jo, – foli ajo dhe vazhdoi: –.Baba tha se familjen e tij e njihte. Se ishin në gjendje të mirë. Se baba i djalit ishte zotni burrë dhe kishte dëshirë të bëhej krushk me të.

Ndërkaq nga njëra anë e stacionit të metrosë filloi të vinte rryma e erës që tregonte se treni ishte duke ardhur. Pas pak çastesh ai qëndroi dhe dyert e vagonave u hapën. Prej tyre dolën udhëtarët dhe hipën ata që prisnin. Ashtu bëmë edhe ne. U përshëndetëm dhe secili shkoi për atje ku ishte nisur.

EPILOG

Pothuaj çdo mëngjes e shikoj Florën të ecë përgjatë sheshit të shtruar me pllaka të hirta betoni para dritares së banesës sime. Ec me njëfarë vendosmërie, si dikush që i ka dalë jetës me gjoksin përpara. Ec me nxitim, duke lënë flokët e gjatë e të drejtë ngjyrë gruri t’i valëviten pas supeve. Në fytyrë i endet një shprehje trishtimi të cilin nuk mund t’ia fshehë rimeli, ndonëse i trashë.

Ka dy-tre muaj që ajo është ndarë me burrin dhe jeton e vetme me tre fëmijët e vegjël.

https://thanas-jorgji.blogspot.com/