Ndryshe nga shkurti dhe marsi kur kursimet në monedhën vendase në banka ishin në rënie, muaji prill ka shënuar kthesë pozitive. Edhe valuta ka vijuar rritjen ndonëse me ritme të ulëta.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të prillit, depozitat në lekë të individëve, bizneseve e institucioneve të tjera në banka kanë arritur në 737 miliardë lekë, me një rritje prej 10.7 miliardë lekësh, ose 1.5% në krahasim me muajin e mëparshëm, duke rikuperuar humbjet e dy muajve të fundit.
Në mars dhe në shkurt, kursimet në monedhën vendase në banka kishin rënë përkatësisht me 6 dhe 4.3 miliardë lekë.
Me bazë vjetore (prill 2026/prill 2025), kursimet në monedhën vendase janë shtuar me 97 miliardë lekë, ose 15%.
Përmirësimi i depozitave në lekë në prill është ndikuar si nga individët, ashtu dhe nga bizneset. Vendosjet e këtyre të fundit në banka kishin rënë në shkurt e prill, pasi u rritën fort në janar, periudhë që ndikohet tradicionalisht nga pagesat buxhetore për kompanitë që kryejnë punë publike.
Edhe depozitat në valutë vijuan me rritje të lehtë, duke arritur në 8.8 miliardë euro, me një zgjerim prej 35 milionë euro, njësoj sa muaji i mëparshëm. Me bazë vjetore, kursimet në monedhën e përbashkët janë rritur me 747 milionë euro, ose 9.3%.
Banka e Shqipërisë e raporton stokun e kursimeve totale në lekë dhe euro të konvertuara në monedhën vendase, që në fund prillit zbriti në 1.5 trilionë lekë, duke iu afruar rekordit të janarit prej rreth 1.51 trilionë lekë (mbi 15 miliardë euro).
Në një vit, nga prilli 2025 deri në prill 2026, depozitat në sistemin bankar (të konvertuara në euro) janë shtuar me rreth 1.75 miliardë euro, ku ndikimin më të madh, me rreth 57% të rritjes, e ka dhënë monedha vendase (+97 miliardë lekë, ose rreth 1 miliardë euro) dhe më pak ajo në euro (+747 milionë euro)./Monitor







