Kryeministri, Albin Kurti ka kujtuar veprimtarin, Adem Demaçi dhe aktivistin, Astrit Dehari, të cilët mbajnë të njëjtën datë të lindjes, 26 shkurtin.
Kurti, bashkë me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ministra e bashkëpunëtorë partiak kanë qëndruar për vizitë në familjen Demaçi e Dehari.
“Adem Demaçi është emri më i shquar i përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar rreth organizimit të gjerë për liri e bashkim kombëtar, për drejtësi dhe Kosovën Republikë. Astrit Dehari është emri më i dalluar ndër aktivistët e rinj të vazhdimit të së njëjtës përpjekje për Republikën e Kosovës, për emancipim e shqiptari, për barazi e përkujdesje për të gjithë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se ditëlindja e tyre nuk është veç një numër kalendarik, por shifër domethëniesh të thella.
Postim i plotë:
Adem Demaçi është emri më i shquar i përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar rreth organizimit të gjerë për liri e bashkim kombëtar, për drejtësi dhe Kosovën Republikë. Astrit Dehari është emri më i dalluar ndër aktivistët e rinj të vazhdimit të së njëjtës përpjekje për Republikën e Kosovës, për emancipim e shqiptari, për barazi e përkujdesje për të gjithë. Ditëlindja e tyre nuk është veç një numër kalendarik (26 shkurt), por shifër domethëniesh të thella që vijojnë të na frymëzojnë dhe tregojnë me bindje rrugën tonë përpara.







