Për ditë me radhë, banorët e Rrjollit kanë protestuar kundër ndërtimit të një resorti në zonën e tyre, duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë si marrje të tokave dhe cenim të të drejtave të pronës. Pamjet e përplasjeve dhe dhunës ndaj banorëve kanë qarkulluar në një pjesë të vogël të medias, ndërsa reagimet politike kanë qenë minimale.
Sot, për herë të parë, një deputet i mazhorancës ka dalë publikisht kundër dhunës. Deputeti i PS, Ermal Pacaj, në një postim në Facebook, shkruan:
“Po kjo?! Si mundet me ndodhë?!
Absolutisht e tepert, shumë.
Dënoj dhe e përçmoj goditjen me grushta dhe shkelma kundër banorit dhe banorëve të Rrjollit.
Akt i papranueshëm, vandal dhe bandit. Këto probleme nuk zgjidhen me dhunë e brutalitet, zgjidhen me drejtësi dhe me institucione legjitime, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme që na garanton Kushtetuta!”
Ky është reagimi i parë nga radhët e mazhorancës për një situatë që ka prodhuar tension në terren dhe akuza për përdorim force ndaj qytetarëve.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, në zonë shkuan dy deputetë të opozitës, duke e kthyer çështjen në një betejë të hapur politike. Deri tani, asnjë reagim zyrtar nuk ka ardhur nga qeveria apo nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar rrethanat e dhunës dhe statusin ligjor të projektit.
Resorti që po ngrihet në atë zonë po realizohet nga biznesmeni Bashkim Ulaj, një emër i njohur në sektorin e ndërtimit dhe projekteve të mëdha turistike në vend.
Në thelb, çështja e Rrjollit nuk është vetëm për një resort. Ajo prek një plagë më të thellë: raportin mes zhvillimit dhe pronës, mes investimit dhe të drejtës kushtetuese. Dhe mbi të gjitha, prek një vijë të kuqe — përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që protestojnë.
Kur reagimi i parë nga mazhoranca vjen pas ditësh tensioni dhe pasi opozita ka qenë fizikisht në terren, pyetja mbetet: a do të pasohet ky dënim moral nga veprime konkrete institucionale?
Sepse, siç shkruan vetë deputeti, problemet nuk zgjidhen me grushte. Zgjidhen me drejtësi./vna







