Ballina Aktualitet Qeveria miraton projektin për rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza”, muze arkeologjik nëntokësor...

Qeveria miraton projektin për rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza”, muze arkeologjik nëntokësor dhe parkim

73
0

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm për transformimin e Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë. Projekti parashikon ndërtimin e një muzeu arkeologjik nëntokësor, krijimin e një parkimi nëntokësor dhe rehabilitimin e plotë të sheshit.

Autoriteti kontraktor i ngarkuar për zbatimin e projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të kryejë procedurat e prokurimit publik, projektimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin. Në këtë proces mund të përfshihen edhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe Bashkia e Tiranës, përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit.

Financimi i projektit do të mbulohet nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të  ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

1. Ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për realizimin e projektit “Ndërtimi i muzeut arkeologjik nëntokësor, parkimi nëntokësor dhe rehabilitimi i sheshit “Nënë Tereza””.

2. Në funksion të zbatimit të projektit, të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë:

a) të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse për projektimin, zbatimin e mbikëqyrjen e projektit, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre e të projektit përkatës;

b) paraqitjen e kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit në emër të institucioneve publike përfituese pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve e të procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin e territorit.

3. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkia Tiranë mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në funksion të zhvillimit të projektit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.

4. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

5. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””, thuhet në VKM.