Ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton tha para Komitetit Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve se nuk ka parë dhe nuk a bërë asgjë të gabuar në lidhje me Jeffrey Epstein, financierin e ndjerë amerikan të dënuar për pedofili, publikimi i dosjes së të cilit disa javë më parë ka tronditur botën.
Para Komitetit, Clinton deklaroi se nuk kishte asnjë ide për krimet e kryera nga Epstein, dhe se nëse do të kishte ndonjë indicie për ato që ka bërë, do të ishte vetë ai që do ta denonconte dhe do të kërkonte drejtësi.
“E di çfarë pashë, dhe më e rëndësishmja, çfarë nuk pashë. E di çfarë bëra, dhe më e rëndësishmja, çfarë nuk bëra. Nuk pashë asgjë dhe nuk bëra asgjë të gabuar. Si dikush që rrita në një shtëpi ku kishte dhunë në familje, jo vetëm që nuk do të kisha fluturuar me avionin e tij nëse do të kisha pasur ndonjë dyshim për atë që po bënte — do ta kisha denoncuar vetë dhe do të kërkoja drejtësi për krimet e tij, jo marrëveshje të ëmbla.”, u shpreh ai.
Sipas tij, nuk ka parë asgjë që t’i jepte arsye për t’u shqetësuar, dhe se krimet e Epstein dolën në dritë kur ai kishte shumë kohë që i kishte shkëputur kontaktet me të. Ai u ndal edhe te dëshmia e Hillary Clinton një ditë më parë, teksa tha se ajo nuk kishte asnjë lidhje me Epstein, dhe se marrja në pyetje e saj nga ana e Komitetit ishte e padrejtë.







