Autoritetet në Belgjikë kanë bërë një analizë me rastin e 5-vjetorit të zbërthimit të shërbimit të mesazheve të koduara SKY ECC. Sipas medias belge LA LIBRE, ndikimi i këtij zbërthimi ka qenë shumë i madh sidomos në Shqipëri
Me rastin e prezantimit të bilancit të pesë viteve hetimesh të bazuara në të dhënat e SKY ECC, prokuroria federale belge, prokuroria e Anversës dhe policia federale kanë nxjerrë në pah shkallën e bashkëpunimeve gjyqësore dhe policore të krijuara që nga viti 2021 për të luftuar trafikun e narkotikëve.
Që nga viti 2022, policia federale belge ka një oficer ndëlidhës në Kolumbi dhe njofton vendosjen së shpejti të përfaqësuesve në Panama dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Oficerë janë tashmë aktivë në Brazil, Turqi, Marok, Itali dhe Shqipëri. Mesazhet e analizuar kanë zbuluar shkëmbime të drejtpërdrejta midis karteleve të Amerikës së Jugut dhe trafikantëve evropianë e amerikanë.
Brenda policisë federale, një njësi ndërkombëtare “Intelligence” trajton rreth 1.500 mesazhe në muaj përmes sistemit të sigurt të Europol-it. Kjo agjenci evropiane e bashkëpunimit policor dhe Eurojust, ajo e bashkëpunimit gjyqësor, kanë ofruar mbështetje strukturore për Belgjikën që nga nisja e hetimit.
Bashkëpunimi me Shqipërinë është përforcuar veçanërisht. Sipas të dhënave të komunikuara, 15 vrasje dhe 15 tentativa vrasjesh janë zbardhur falë të dhënave të SKY ECC. Më shumë se 1.000 përdorues shqiptarë janë identifikuar. Nën kujdesin e Europol-it, është krijuar një Task Force me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimeve në Shqipëri.
Sisteme të ngjashme ekzistojnë me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Në Kosovë, mbi 70 bastisje dhe 30 arrestime janë kryer në vitin 2025 bazuar në të dhënat e SKY ECC, ndërsa në Turqi janë sekuestruar 300 milionë euro në një çështje të ngritur falë mesazheve të deshifruara.







