Tensione dhe debate të ashpra në ditën e dytë të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Vlorë
Në ditën e dytë të mbledhjes së Këshilli Bashkiak Vlorë, e cila nuk u zhvillua një ditë më parë për mungesë kuorumi, diskutimet kanë vijuar me tone të ashpra dhe përplasje mes këshilltarëve.
Debati më i fortë është regjistruar gjatë shqyrtimit të çështjes së “Vlora Invest”, ku përplasjet kanë ndodhur mes këshilltarëve demokratë dhe administratës së bashkisë. Në fjalën e tij, këshilltari i Partisë Demokratike, Atird Hoxha, ka akuzuar drejtuesit vendorë për abuzime, ndërsa ndërprerja e fjalës së tij nga kryetarja e Bashkisë, Brunilda Mersini, ka sjellë agravimin e situatës.
Debati ka degraduar në përdorim të gjuhës fyese dhe akuza të ndërsjella. Hoxha iu drejtua kryetares me akuza të forta, duke e cilësuar administratën si “bandë krimi dhe vjedhjesh të organizuara”, ndërsa kryetarja Mersini reagoi duke e quajtur këshilltarin “mbetje të Partisë Demokratike”.
Mbledhja është shoqëruar me tensione të vazhdueshme, duke reflektuar klimën e polarizuar politike në këshillin bashkiak.







