Largimi i Ilir Prodes nga drejtimi i Policisë së Shtetit nuk mund të lexohet i shkëputur nga zhvillimet e fundit politike. Ka një argument tjetër, që e zhvendos fokusin nga protesta dhe çështjet e sigurisë, drejt një terreni më të thellë: riekuilibrimi i forcave brenda Partisë Socialiste.
Ndryshimet masive në qeveri treguan qartazi se raportet e forcës në PS po njohin një riekuilibrim të dukshëm. Influenca e Ballukut është e dukshme. Ndryshimet që sollën rritjen e dishepujve të saj në qeveri dhe largimin e kundërshtarëve të saj (Spiropalit) nuk është një episod i izoluar. Mesa duket është një proces.
Berja e një hapi pas e Ballukut, me synimin e largimit nga syri i ciklonit, por me ruajtjen e imunitetit, kërkon kompensim. Ky është leximi i vetëm nisur nga realpolitika. E ky kompensim veçse filloi, mesa duket, në përbërjen e qeverisë.
Forca reale e Ballukut nuk duket të jetë thjesht “si e pazëvendësueshme në punët e shumta që ka bërë”, sipas Ramës, por te poli i interesave të forta financiaro-politike, dhe jo vetëm, që ajo ka rritur të grumbullojë. E ky proces kompensimi nuk mund të mos shtrihet edhe në poste të rëndësishme, me përmasa të rëndësishme pushteti, siç është edhe sektori i policisë.
Në këtë lexim, lëvizja ndaj Prodes nuk është vetëm reagim ndaj një situate të menjëhershme sigurie. Ajo mund të jetë pjesë e një rishpërndarjeje influence, një zhvendosje ekuilibrash që po zhvillohet brenda mazhorancës.
Dhe atëherë pyetja ndryshon: a është shkarkimi i Prodes një masë administrative, apo një gur i vendosur në tavolinën e re të pushtetit?/vna







