Ballina Ekonomia Rivlerësimi, si leverdis më shumë, me çmim reference apo tregu?

Rivlerësimi, si leverdis më shumë, me çmim reference apo tregu?

104
0

Kjo javë shënoi zyrtarisht nisjen e procesit të shumëpritur, atë të rivlerësimit të pasurive. Kush ka të drejtë të kryejë këtë proces?

Të gjithë ata individë që kanë në pronësi një tokë apo një ndërtesë kanë të drejtë ta rivlerësojnë atë. Aplikimet do të kryhen në portalin E-Albania. Ndërkohë, Kadastra, por edhe ekspertë të licencuar, do të ofrojnë këtë shërbim.

Alban Demirxhiu, vlerësues pronash i ftuar në emisionin “E-ZONE”, tha se individët, përpara se të aplikojnë për rivlerësim, duhet më parë të informohen lidhur me çmimet e referencës së zonës.

Unë do të sugjeroja që të gjithë ata që duan të bëjnë rivlerësimin e pasurive duhet të kenë në konsideratë dy detaje. Kush ka në plan që pronën e tij ta shesë apo ta zhvillojë më tej për biznes, duhet ta rivlerësojë me vlerën e tregut. Këtë vlerësim e bën një ekspert, i cili ka të gjitha njohuritë lidhur me vlerën që do të ketë prona dhe zona përreth. Por, nëse një individ nuk ka në plan afatshkurtër të shesë pronën, ai mund ta vlerësojë me çmimet referencë të tregut”, tha Demirxhiu.

Sipas Demirxhiut, në javën e parë të këtij procesi interesi ka qenë i lartë, pasi qytetarët kanë pritur më shumë se dy vite për këtë fushatë rivlerësimi. Por si do të ndikojë kjo fushatë në çmimet e pasurive?

Unë jam i mendimit se kjo fushatë rivlerësimi nuk pritet të ketë efekt në uljen e çmimeve. Në treg do të ketë më shumë prona për shitje të rivlerësuara, pra do të ketë prona me më pak ngarkesë taksash. Për rrjedhojë, do të ketë më pak presion për rritje të mëtejshme çmimesh”, tha Demirxhiu.

Por Ministria e Financave nuk arriti të krijonte një hartë të re me çmimet e pronave në rrethe, ndaj rivlerësimi do të bëhet me çmimet në fuqi që i përkasin vitit 2016 dhe vitit 2018, për pronat tokë dhe ndërtesë, çmime të cilat janë shumë larg realitetit të vlerës aktuale të pronës.