Ballina Bota Ushtria izraelite sulmon Libanin, 31 të vdekur dhe 149 të plagosur. Evakuime...

Ushtria izraelite sulmon Libanin, 31 të vdekur dhe 149 të plagosur. Evakuime masive nga Bejruti

74
0

Izrael ka ndërmarrë sulme të gjera ajrore në Liban për të goditur objektiva të Hezbollahu, njoftoi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Sipas ushtrisë izraelite, operacioni po shtrihet “në të gjithë Libanin”, duke sinjalizuar një përshkallëzim të madh të konfliktit në rajon. Autoritetet libaneze raportuan fillimisht të paktën 31 të vdekur dhe rreth 150 të plagosur nga sulmet, ndërsa mijëra qytetarë u detyruan të largohen nga kryeqyteti Bejrut dhe zonat përreth. Gazetarët e AFP raportuan shpërthime të fuqishme gjatë natës në Bejrut dhe panë familje që largoheshin me makina nga pjesa jugore e vendit, disa me dyshekë të lidhur mbi çati, në përpjekje për t’u strehuar në zona më të sigurta.

Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të rreth 50 fshatrave në Liban që të evakuohen menjëherë. Më herët, Izraeli kishte njoftuar se kishte interceptuar një raketë të lëshuar nga territori libanez dhe se disa të tjera kishin rënë në zona të pabanuara pa shkaktuar viktima. Nga ana e tij, Hezbollahu, i mbështetur nga Iran, deklaroi se kishte nisur “një breshëri raketash dhe një tufë dronësh” drejt Izraelit, duke e cilësuar sulmin si hakmarrje për vdekjen e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, i cili sipas raportimeve u vra gjatë një operacioni të përbashkët SHBA-Izrael.

“Shefi i Shtabit të IDF-së, gjenerali Eyal Zamir, deklaroi përmes Telegramit se Hezbollahu është plotësisht përgjegjës për përshkallëzimin. “Çdo armik që kërcënon sigurinë tonë do të paguajë një çmim të rëndë”, tha ai. Më pas, ushtria izraelite paralajmëroi se bastisjet në Liban do të intensifikohen gjatë ditës.

Gjenerali Zamir theksoi gjithashtu se operacioni mund të zgjasë për disa ditë. “Ne kemi nisur një fushatë agresive kundër Hezbollahut. Duhet të përgatitemi për disa ditë luftimesh, shumë ditë”, u shpreh ai në një video të publikuar nga ushtria. Situata në kufirin Izrael-Liban mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për përmbajtje dhe shmangie të një lufte të gjerë rajonale.