Një pikturë e humbur prej kohësh nga Rembrandti është rizbuluar pasi vendndodhja e saj kishte mbetur e panjohur për dekada. Ndërkohë ekspertët kanë verifikuar autenticitetin e saj.
Bëhet fjalë për pikturën “Visioni i Zakarias në Tempull”, e vitit 1633, e cila ishte përjashtuar nga lista e veprave të mjeshtrit holandez në vitin 1960 dhe u zhduk pasi u shit një koleksionisti privat një vit më pas.
Vepra u rishfaq kur pronarët e paraqitën për analiza në muzeumin Rijks në Amsterdam, i cili ndërmori një ekzaminim dyvjeçar.
“Kur e pashë në studion tonë gjatë restaurimit, u godita menjëherë nga fuqia e jashtëzakonshme që ka,” tha drejtori i Rijksmuseum, Taco Dibbits.
Dibbits shtoi se muzeu merr shumë email-e nga persona që kërkojnë informacion për piktura që i kanë trashëguar ose blerë. Në këtë rast, ata e kuptuan se mund të bëhej fjalë për diçka të veçantë.
“Na erdhi përmes email-it dhe një nga kuratorët tanë mendoi: Ishte vërtet një pikturë interesant. E kemi njohur ekzistencën e kësaj pikture prej më shumë se 100 vitesh, por nuk e kishim parë kurrë.”
Muzeu konfirmoi autenticitetin pas studimit të pigmenteve, të cilat përputhen me ato që përdorte Rembrandti në atë periudhë, si edhe teknikën e pikturimit dhe ndërtimin e shtresave, që janë të krahasueshme me veprat e tij të hershme.
Rembrandt ishte 27 vjeç kur krjoi këtë pikturë, e cila paraqet skenën biblike kur kryeprifti Zakaria njoftohet nga Kryeengjëlli Gabriel se, pavarësisht moshës së tyre, ai dhe bashkëshortja e tij do të kenë një djalë, Gjon Pagëzorin.
Muzeu theksoi se Rembrandti i kishte dhënë historisë biblike një qasje novatore. Në vend që ta paraqiste dukshëm Kryeengjëllin Gabriel, ai vetëm e sugjeroi praninë e tij. Në këtë mënyrë, Rembrandti u largua nga traditat e vendosura vizuale dhe prezantoi një mënyrë të re për ta përfaqësuar këtë subjekt.
Rembrandti zgjodhi qëllimisht momentin vendimtar, pak përpara se Gabrieli të zbulojë identitetin e tij të vërtetë.
Kjo është një nga pikturat e pakta historike që ai realizoi gjatë asaj periudhe. Në atë kohë, ai merrej kryesisht me portrete, të cilat ishin shumë fitimprurëse.







