Ballina Aktualitet Indeksi, Bashkia Durrës mes institucioneve vendore më pak transparente në vend

Indeksi, Bashkia Durrës mes institucioneve vendore më pak transparente në vend

463
0

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale publikon rezultatet e monitorimit të transparencës proaktive për 61 bashki dhe 12 këshilla qarqesh, duke analizuar publikimin e informacionit në faqet zyrtare dhe zbatimin e Programit të Transparencës. Rezulton se Bashkia Durrës, një ndër më të mëdhatë më vend, të jetë mes vendeve të fundit në indeksin e transparencës.

Sipas legjislacionit në fuqi, institucionet publike kanë detyrimin të publikojnë në mënyrë të rregullt dhe të përditësuar informacion mbi veprimtarinë e tyre, duke u mundësuar qytetarëve të njihen me mënyrën se si funksionojnë autoritetet publike dhe të ndjekin vendimmarrjen e tyre.

Raporti sqaron se matja e transparencës është realizuar përmes një sistemi të strukturuar vlerësimi që bazohet në 16 tregues kryesorë, ndërsa në bazë të rezultateve autoritetet me 13 deri në 16 pikë konsiderohen me transparencë të lartë, ato me 9 deri në 12.5 pikë me transparencë mesatare, institucionet me 5 deri në 8.5 pikë me transparencë të ulët dhe ato me 0 deri në 4.5 pikë me transparencë minimale.

Nga krahasimi i të dhënave të “Indeksit NjVV 2025” me atë të vitit 2024, rezulton se se ka një rënie të lehtë të autoriteteve publike të kategorizuara me transparencë proaktive të lartë nga 30 në 28 (-2 NjVV). Listën e bashkive në këtë kategori e kryesojnë Divjaka, Klosi, Mirdita dhe Bashkia Shijak me 16 pikë secila. Bashkia e Tiranës, në këtë kategori renditet me 14.5 pikë, kjo për shkak të mungesës së strukturës/organigramës dhe regjistrit të parashikimeve të prokurimit publik.

Ndërkohë në opozitë me këtë kategori renditen të fundit për transparencë Bashkitë e Kavajës, Dimalit, Fushë-Arrëz dhe Memaliaj me 2 ose 4 pikë.

Raporti vëren se disa autoritete publike, megjithëse kanë ruajtur praktika të mira transparence, nuk kanë reflektuar në kohë përditësimet e nevojshme në Programin e Transparencës ose në faqet e tyre zyrtare.

Bashki me transparencë proaktive mesatare janë 33 ose 45% e totalit të institucioneve, të cilat përfshijnë nga bashkitë e veriut të Shqipërisë, Dibër, Has, Malësi e Madhe te bashkitë e jugut si Berat, Delvinë me 12.5 secila. Në fund të listës në këtë kategori qëndrojnë Bashkia e Librazhdit, Rrogozhin dhe Elbasani me 9.5 pikë secila.

Sipas raportit, për grupin e institucioneve që janë kategorizuar me transparencë proaktive të ulët kemi një zbritje të numrit të tyre nga 13 në 8. Në këtë grup kanë mbetur bashkitë Durrës, Pukë, Fier, Krujë, Këshilli i Qarkut Dibër, Bashkia Tepelenë, Bashkia Këlcyrë dhe Bashkia Gjirokastër që kanë grumbulluar nga 6-8.5 pikë.