Qeveria ka gjetur zgjidhjen për të vulosur përfundimisht aferën korruptive të inceneratorëve, e cila u kushtoi qytetarëve shqiptarë qindra milionë euro të tretura në hiç. Ministria e Mjedisit regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqërinë shtetërore, e cila do të marrë në administrim dy inceneratorët rrangalla dhe të gjithë landfillet e vendit.
E pagëzuar me emrin Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, shoqëria do të jetë në pronësinë e Ministrisë së Mjedisit, por sigurisht duke funksionuar si e pavarur në vendimarrje. Administrator i saj është caktuar, Ersi Sulejmani, ish drejtor i OSHEE në Shkodër dhe Gjirokastër, i akuzuar nga opozita si trafikant.
“Shoqëria ka si objekt kryesor veprimtarie ndërtimin, zhvillimin, koordinimin dhe administrimin e infrastrukturës së rrjetit kombëtar të impianteve të trajtimit (rikuperimit dhe asgjësimit) të mbetjeve,” thuhet në ekstraktin e kompanisë në QKB.
Paralelisht Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve do të ketë në objekt edhe projektimin dhe zbatimin e projekteve për ngritjen e infrastrukturës fundore të menaxhimit të mbetjeve. Por si do të financohet kjo shoqëri?
Qeveria i ka dhënë asaj të drejtën e mbledhjes së tarifave të depozitimit të mbetjeve në landfille apo inceneratorë. Pra atë që deri dje e bënte e famshmja Integrated Energy, tashmë do ta bëjë shoqëria aksionere e shtetit.
“Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve do të ketë objekt ofrimin, kundrejt pagesës, të shërbimit të trajtimit fundor të mbetjeve dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit të saj,” thuhet në ekstraktin e kompanisë.
Nuk dihet nëse qeveria do të ulë tarifat që qytetarët paguajnë për depozitimin e mbetjeve në landfille, veçanërisht në Tiranë, ku paguhet 29 euro për ton. Kjo tarifë ishte përcaktuar për shërbimin e depozitimit plus incenerimit të mbetjeve. Por inceneratori nuk u ndërtua kurrë dhe qytetarët e kryeqytetit vazhdojnë të paguajnë tarifën 29 euro, përmes buxhetit të bashkisë.
Ajo që dihet është se tarifat që do të marrë shoqëria e re shtetërore do të caktohen nga Këshilli i saj Mbikqyrës, një organ me pesë anëtarë, nga të cilat dy janë të ministrisë së Mjedisit, ndërsa tre të tjerët vijnë nga Ekonomia, Pushteti Vendor dhe Financat.
Moda e sh.a-ve
Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve u krijua tre vjet më parë, kur qeverisë i kishte shpërthyer skandali i inceneratorëve dhe Belinda Balluku me Mirela Kumbaron grindeshin të hiqnin përgjegjësinë nga dikasteret e tyre. Fillimisht qeveria e themeloi atë si një agjenci buxhetore, por vetëm pak kohë më parë statusi i saj u ndryshua në shoqëri aksionere.
Ngritja e sh.a-ve është bërë moda më e fundit e qeverisë, veçanërisht në ata sektorë ku kanë shpërthyer skandale korruptive.
Pasi plasi afera e koncesionit të sterilizimit, lindi Operatori Kombëtar i Sterilizimit sh.a. Pasi SPAK filloi të gjurmonte vjedhjen e pronave të ushtrisë, mbiu KAYO sh.a dhe pas shpërthimit të kënetës dixhitale në AKSHI, të cilës i shkoi era deri në Gjermani, u shpik Shoqëria Operatore TIK.
Tashmë qeveria po e kompleton gjerdanin e sh.a-ve të lindura nga korrupsioni me Agjencinë Kombëtare të Mbetjeve.

Krijimi i AKEM si sh.a
Mbirja e sh.a-ve si kërpudhat pas shiut ose më saktë si kërpudhat pas vjedhjeve, nuk është një lëvizje rastësore paniku. Ajo është pjesë e një plani të mirëmenduar, që ka dy qëllime. Së pari të largojë përgjegjësinë politike nga Edi Rama dhe rrethi i tij i ngushtë nga aferat e kaluara dhe ato që do vijnë.
Por ndonëse qëllimi i parë është largimi i përgjegjësisë politike nga oborri, qëllimi i dytë është edhe më djallëzor. Ai është relaksimi i mekanizmave të transparencës, kontrollit publik dhe në fund largimi i përgjegjësive penale nga kupola qeverisëse./Kapital
Titulli dhe foto kryesoe të vendosur nga bulevard news







