Nga Irena Beqiraj
Në verën e vitit 1942, Winston Churchill pati një takim të gjatë me Joseph Stalin, takim që sipas historianëve krijoi urat e lidhjes në luftën kundër Adolf Hitler.
“Të nesërmen e takimit kokë më kokë, ku kuptohet kishin pirë edhe vodka, Churchill i dërgoi një mesazh Stalinit:
I dashur mik! Mbase është e tepërt kjo që po ju shkruaj, por të dy ne duhet të sigurohemi që përkthyesit tanë të jenë diskretë dhe të ruajnë konfidencialitetin e bisedimeve tona.”
Stalini i kthehet me një shënim:
“I nderuar mik, mendoni për përkthyesin tuaj! Unë e kam vrarë që dje përkthyesin tim.”
Kjo është historia që u tregoj miqve kur më pyesin se çfarë mendoj për largimin dhe më pas mesazhin e Elisa Spiropali.
Jo, Spiropali nuk është dëm kolateral i ikjes së Belinda Balluku, e cila po demontohet nga pushteti me delikatesë, duke i krijuar idenë se ajo do ta ushtrojë pushtetin nëpërmjet njerëzve të zgjedhur prej saj. I ikuri nga politika dhe i vdekuri kanë të njëjtin pushtet.
Sikurse Elisa e di mirë që nuk i ka shërbyer të mirës publike. Anipse më duhet ta them që, nëse do të më duhej të zgjidhja midis të dyjave, do të zgjidhja të punoja në një tavolinë pa asnjë mëdyshje me Elisën.
Por duhet thënë se shërbimi ndaj Edi Rama është vija e rezistencës më të vogël, rruga e lehtë. Shërbëtori nuk shqetësohet; ai mendon se i di vlerat e tij. Shërbëtori nuk interesohet për të tjerët; shërbëtori është në kërkim të adrenalinës që i jep pushteti.
Elisa ishte përkthyesi i Ramës, dhe Rama ka vuajtur nga paranoja e asaj se çfarë mund të thonin lart e poshtë përkthyesit e tij! Autokratët modernë si Rama, shërbëtorëve të tyre nuk ua marrin jetën, por nderin.







