Avioni i parë qeveritar i Gjermanisë për evakuimin e shtetasve nga rajoni i krizës në Lindjen e Mesme mbërriti u ul sot në mëngjes në aeroportin e Frankfurtit, konfirmuan gazetarët.
Avioni i kompanisë ajrore “Lufthansa”, një” Airbus A340-300”, ishte nisur nga Muskati, kryeqyteti i Omanit. Pasagjerët në bordin e fluturimit LH345 ishin përzgjedhur nga qeveria gjermane.
Ata kishin mbetur të bllokuar në rajonin e Gjirit pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit dhe ishin transportuar me rrugë tokësore drejt Muskatit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se prioritet në evakuim u është dhënë grupeve më të cenueshme, përfshirë gratë shtatzëna, të sëmurët dhe fëmijët.
Numri i saktë i pasagjerëve të kthyer në Gjermani nuk ishte i qartë fillimisht. Sipas konfigurimit standard, avioni ka 279 vende për pasagjerë, por në bord duhet të sistemohen edhe anëtarët e ekuipazhit dhe personeli shtesë.
Fluturimi mes Muskatit dhe Frankfurtit zakonisht zgjat nga shtatë deri në tetë orë. Sipas shërbimit të monitorimit ajror Flightradar24, ky udhëtim zgjati rreth tetë orë e 14 minuta.
Që nga fillimi i luftës fundjavën e kaluar, edhe kompani ajrore nga Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ofruar fluturime individuale për largimin e qytetarëve nga rajoni.







