Deputetja e Partisë Laburiste, Joani Reid, ka deklaruar se nuk ka parë asgjë që ta bëjë të dyshojë se burri i saj, David Taylor, ka shkelur ligjin, pas arrestimit të tij në kuadër të një hetimi për dyshim spiunazhi për Kinën. Reid, e cila përfaqëson zonat East Kilbride dhe Strathaven, reagoi pas njoftimit të Policisë Metropolitane për tre arrestime të mërkurën mëngjes, si pjesë e një hetimi kundër-terrorizmit nën Aktin e Sigurisë Kombëtare. Të tre të arrestuarit, të moshës 39, 43 dhe 68 vjeç, janë lëshuar me garanci, sipas policisë, ndërsa identitetet e tyre nuk janë zbuluar publikisht.
Deputetja theksoi se nuk është e përfshirë në aktivitetet e bisznesit të burrit të saj dhe se as ajo, as fëmijët e saj, nuk janë pjesë e hetimit.
“Unë nuk kam parë kurrë asgjë që të më bëjë të dyshoj se burri im ka shkelur ligjin,” tha Reid.
Ajo shtoi se pret që mediat të respektojnë privatësinë e fëmijëve të saj dhe të mos i trajtojnë ata si pjesë të hetimit. Reid gjithashtu theksoi se nuk ka qenë kurrë në Kinë, nuk ka diskutuar për vendin apo regjimin e tij në Parlament, dhe nuk ka pasur kontakte të qëllimshme me kompani, diplomat apo zyrtarë kinezë gjatë shërbimit të saj si deputete.
“Nuk e admiroj dhe nuk e mbroj diktaturën e Partisë Komuniste Kineze,” shtoi ajo.
David Taylor, burri i Reid, figuron në regjistrin e interesave të deputetes si drejtor i kompanisë Earthcott Limited, një firmë lobimi. Reid, mbesa e sindikalistit të njohur Jimmy Reid, ka shërbyer si këshilltare në Lewisham, në jug të Londrës, për tetë vjet para se të bëhej deputete.
Pas lajmit për arrestimet, ministri i Sigurisë Dan Jarvis bëri një deklaratë në Parlament duke shprehur shqetësimin e qeverisë për një rritje të aktiviteteve të fshehta nga aktorë të lidhur me shtetin kinez që synojnë të dëmtojnë demokracinë në Mbretërinë e Bashkuar. Jarvis theksoi se nëse provohet ndërhyrje kineze në çështjet sovrane të MB-së, do të ketë pasoja të rënda dhe të gjithë aktorët do të mbahen përgjegjës. Ai gjithashtu vuri në dukje se qeveria vazhdon të shohë si të dobishme angazhimin ekonomik afatgjatë me Kinën.
Kritikat nuk munguan nga opozita konservatore. Deputeti, Alex Burghart, akuzoi Labour për një “politikë të dështuar pajtimi” ndaj Kinës dhe kërkoi thirrjen e ambasadorit kinez në Mbretërinë e Bashkuar. Ai shtoi se ndërhyrjet e mëtejshme nuk do të tolerohen dhe se Kina duhet të vendoset në nivelin më të lartë të regjistrit qeveritar për ndikimin e huaj, duke rritur kontrollet mbi çdo aktivitet të lidhur me vendin aziatik.







