Studentë, të rinj dhe qytetarë kanë nisur të grumbullohen përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në ditën e 13-të të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Një numër i konsiderueshëm protestuesish janë mbledhur përpara godinës së ministrisë, ndërsa pjesëmarrës të tjerë vijojnë t’i bashkohen tubimit.
Protesta e sotme vjen pas tensioneve dhe përplasjeve të ditëve të fundit mes demonstruesve dhe forcave të policisë, gjatë të cilave janë raportuar edhe persona të plagosur.
Kërkesa kryesore e studentëve dhe të rinjve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, debatet janë shtuar edhe pas paralajmërimit të qeverisë për një paketë të re ligjore, e cila parashikon gjoba dhe masa më të ashpra ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme.
Tubimi përpara Ministrisë së Arsimit vijon, ndërsa pritet që gjatë orëve në vazhdim t’i bashkohen edhe protestues të tjerë.







