Ballina Politika Kuzhina e PS : Pasi media u quajt “kazan”, Sara Mile e...

Kuzhina e PS : Pasi media u quajt “kazan”, Sara Mile e shpall Parlamentin “tenxhere që zien”

98
0

Nëse dikur kryeministri e quajti median “kazan”, tani një deputete e mazhorancës duket se ka vendosur të plotësojë metaforën kulinare: Parlamenti, sipas saj, është bërë një “tenxhere që zien”.

Deputetja e PS-së Sara Mile, e ftuar në emisionin “Top Story”, u shpreh se Kuvendi është kthyer në një ambient të mbushur me tensione dhe përplasje politike.

“Disa herë kam rënë në grackën e mendësisë së vjetër. Edhe trysnia, një lloj tenxhere që vetëm zien. Mua më duket sikur është një arenë mes dy axhendave politike: njëra që lufton për integrimin në BE dhe tjetra që do të ndalojë shpejtësinë e stacionit tonë. Edhe gjuha është bërë e ashpër. Si një vajzë e re, jam disi e çuditur nga gjuha ofenduese, diskriminimi, denigrimi personal”, tha ajo.

Deputetja theksoi gjithashtu se nuk merret me sulme personale ndaj kundërshtarëve politikë.

“A ta pret mendja që unë mund të markoj dikë? Unë nuk e bëj. Nuk ekziston një skenar i tillë. Unë kam luftërat e mia politike. Ato lidhen me grupin që unë përfaqësoj, ato që i kam shumë personale nuk lidhen domosdoshmërisht”, u shpreh Mile.

Megjithatë, krahasimi i ri ka hapur një debat tjetër: nëse media është “kazan” dhe Parlamenti “tenxhere”, atëherë ku po gatuhet politika shqiptare? Dhe më e rëndësishmja: kush është kuzhinieri.