Me një qendër shëndetësore të kthyer në gërmadhë, banorët e Boçovës në bashkinë e Fierit, e kanë jetën të vështirë edhe prej faktit që shumica janë të moshuar dhe kanë nevojë thuajse për çdo ditë për shërbim shëndetësor. Në një fshat ku shpopullimi nuk ndalet, shërbimet, qoftë edhe ato me jetiket, sa vijnë dhe zhduken.
Sa më shumë shpopullohet fshati, aq më pak shërbime ka për komunitetin që ka mbetur. Kështu po ndodh edhe në fshatin Boçovë të bashkisë së Fierit, kur nga më shumë se 1mijë banorë që ka patur dikur, sot nuk banojnë më shumë se 100 të tillë thuajse të gjithë të moshuar. Dhe për këta të fundit në këtë fshat, mungon qendra shëndetësore që ka qenë dikur dhe sot është një gërmadhë.
Banorët mjaftohen me një mjeke që mbulon edhe disa fshatra të tjerë dhe infermieren që e thërrasin nga Fieri sa herë kanë nevojë, ndërsa për rastet urgjente, gjejnë zgjidhje të çastit.
Edhe pse ky është një nga shërbimet më të rëndësishme për këtë moshë, ata që kanë mbetur në Boçovë, nuk presin asnjë ndryshim, për sa kohë fshati vijon të shpopullohet.







