Ballina Aktualitet KLSH zbulon skandalin, të dënuarit punuan në burgje në tri vite, por...

KLSH zbulon skandalin, të dënuarit punuan në burgje në tri vite, por nuk iu paguan sigurime shoqërore

121
0

Punësimi i të burgosurve në Shqipëri vijon të mos shoqërohet me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke bërë që periudha e punës së tyre gjatë vuajtjes së dënimit të mos njihet si periudhë sigurimi për pension apo përfitime të tjera sociale. Kjo është një nga problematikat e evidentuara në auditimin e performancës të Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi trajtimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar për periudhën 2022–2024.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe rreth 891 të dënuar kanë punuar në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, kryesisht në shërbime të brendshme të burgjeve. Megjithatë, puna e tyre nuk shoqërohet me një skemë të plotë sigurimesh shoqërore, çka do të thotë se periudha e punës në burg nuk u njihet për qëllime pensioni apo mbrojtjeje sociale.

Të dhënat e auditimit tregojnë se punësimi i të burgosurve ka pësuar luhatje nga viti në vit. Në vitin 2022 kanë punuar 190 të dënuar, ndërsa në vitin 2023 numri i tyre është rritur në 468 persona, ose 278 më shumë, duke shënuar një rritje prej 246%. Në vitin 2024 numri i të dënuarve të punësuar ka rënë në 233 persona.

Për punën e kryer nga të dënuarit gjatë kësaj periudhe janë paguar gjithsej 50,374,097 lekë.  Paga mesatare për këtë kategori rezulton 56,537 lekë në vit, ose rreth 4,712 lekë në muaj për periudhën e analizuar.

Në vitin 2024 është konstatuar një rritje e pagesës për punën e kryer nga të burgosurit, ku paga mesatare ka arritur në 101,218 lekë në vit, ose rreth 8,435 lekë në muaj, megjithatë kjo nuk ndryshon faktin se puna e tyre nuk lidhet me kontribute sigurimesh shoqërore.