Ballina Kulturë Si shpëtohen librat e rrallë, 41 vite restaurim në Bibliotekën Kombëtare për...

Si shpëtohen librat e rrallë, 41 vite restaurim në Bibliotekën Kombëtare për trashëgiminë dokumentare

83
0

Prej 41 vitesh, Alba Prifti punon në qendrën e restaurimit dhe konservimit të materialeve bibliotekare që klasifikohen si trashëgimi kulturore dokumentare me vlerë kombëtare në Bibliotekën Kombëtare.

Që prej krijimit të laboratorit, ajo ka rijetëzuar mijëra vepra me rëndësi të veçantë historike, artistike dhe bibliografike.

Për çdo material të dëmtuar, përfshirë libra, periodikë, dorëshkrime, harta, grafika, dokumente, kryhet diagnostifikimi i gjendjes fizike dhe më pas nis puna për restaurimin.

“Procesi nis me shplurosjen e librit, që bëhet manualisht me furçë. Nëse libri është fletë-fletë, kalon në deacidifikim, në një tretësirë boraksi, i kthehet pH sepse gjatë kohës, acidi i letrës rritet duke e bërë letrën të thyeshme, më delikate. Deacidifikimi zgjat 20 minuta, që andej kalon te rrjetat ku libri thahet në mënyrë natyrale. Më pas, nis riparimi me letër japoneze, që mund të jetë e plotë ose e tejdukshme që përdoret nëse libri është i dëmtuar në mes. Nëse fletët janë shumë të dëmtuara, bëhet procesi i laminimit me hëkur të nxehtë me një material special që nuk lejon ngjitjen”, u shpreh specialistja e konservimit në Bibliotekën Kombëtare, Alba Prifti.

Të gjitha këto procese janë të rikthyeshme duke dhënë mundësi rikorrigimi procesit të komplikuar, sipas specialistes, që tregon se gjetja e materialeve që i përshtaten botimit origjinal mbetet sfidë.

“Pergamena është e vështirë për t’u gjetur, ndërsa lëkura gjendet më lehtë. Edhe procesi i lëkurës është shumë i vështirë dhe do shumë precision dhe përkushtim”, u shpreh Prifti.

Prifti veçon punën e bërë së fundmi me një botim të Kuranit dhe Bogdanit, që ndër shekuj kishin pësuar degradim të fletëve dhe kopertinës.

“Kur e kam parë në atë gjendje të mjeruar Kuranin, nuk e besoja se do të mund të ringjallej. Së fundmi, ka qenë edhe libri i Bogdanit, që erdhi në gjendje të keqe. Është shumë punë e lodhshme, por kur sheh që ai libër ka shpëtuar, për mua është lumturia më e madhe”, tregon Prifti.

Restaurimi dhe konservimi i këtyre materiale ka vlerë si garant i kujtesës dokumentare kombëtare dhe i transmetimit të saj ndër breza.