Ballina Lifestyle I shëmtuar dhe i tallur/ Historia si Chuck Norris u bë ikonë...

I shëmtuar dhe i tallur/ Historia si Chuck Norris u bë ikonë e Hollywood

191
0

Të rinjtë mund ta njohin kryesisht nga meme-t qesharake që qarkullojnë në të gjithë botën, por Chuck Norris dhe aventurat e tij në filmat me luftë, veçanërisht në vitet 1980, patën famë të madhe dhe e bënë atë një superyll në zhanrin e tij, përkrah Sylvester Stallone, Steven Seagal dhe Arnold Schwarzenegger.

Ishte dekada e artë për Norris, pasi Stallone kishte hapur rrugën me “Rambo”. Nuk ishte rastësi pasi në atë kohë Ronald Reagan në presidencën e SHBA-së kishte një politikë të shfaqjes së pushtetit të SHBA-së, përkushtimin fetar ndaj parasë, individualitetin dhe “rivitalizimin” e ëndrrës amerikane. Një periudhë që përforcoi më tej doktrinën e vlerës së “mënyrës amerikane të jetesës”, e cila duhet të “mbrohet” me çdo kusht.

Për të qenë të saktë, sidomos jashtë kufijve amerikanë, Chuck Norris ishte “Stallone i të varfërve”, duke pasur parasysh se prodhimet në të cilat ai u shfaq kishin buxhete më të vogla, skenarë krejtësisht pa pretendime, regjisorë të dorës së dytë dhe akoma më shumë aktorë të panjohur që shoqëronin “ujkun e vetmuar” apo superheroin.

Moda për shakatë e famshme për aktorin amerikan të arteve marciale filloi në fillim të viteve 2000, nga shfaqja e njohur televizive amerikane “Late Night”, kur prezantuesi Conan O’Brien bëri ironi për serialin televiziv jashtëzakonisht të njohur të Norris “Walker, Texas Ranger”.

Megjithatë ndoshta gjithçka filloi më herët. Shakatë, të cilat u shumuan me një ritëm të pabesueshëm, e rritën famën e Chuck Norris dhe e dërguan atë me vërtet në “mbretërinë e mitologjisë”.

Pas dy ditësh Chuck Norris mbush 86 vjeç (ka lindur më 10 mars 1940). Me një fytyrë të ashpër nuk ishte një aktor i mirë, por ky është ndoshta një detaj i zhanrit të filmit në të cilin shërbeu. Në fund të fundit, ai vetë është më krenar për shërbimin e tij ushtarak, në Forcat Ajrore, njohuritë e tij për artet marciale dhe sigurisht, për gjendjen e tij të pakrahasueshme fizike.

Prejardhja nga fisi indian Cherokee

Më 10 mars 1940, pak para se Amerika të hynte në Luftën e Dytë Botërore, lindi një djalë i vogël, bjond, Carl Ray Norris, nga një baba shofer kamioni me prejardhje të largët nga fisi Cherokee dhe një nënë irlandeze. Kur ishte 16 vjeç, prindërit e tij u divorcuan, por problemet e tij kishin filluar më herët. Në shkollë, shokët e klasës e ngacmonin për prejardhjen e tij indiane. I turpshëm, që dështonte në shkollë ose në sport, Çaku i vogël ëndërronte të bëhej i fortë dhe një ditë t’i mundte të gjithë.

Duke u rritur, pa ndihmën e babait të tij alkoolik, ai do të mbështetej te dy vëllezërit e tij më të vegjël dhe nëna e tij.

Do mbaronte shkollën e mesme me një mijë vuajtje dhe në vitin 1958 do të martohej me dashurinë e tij të fëmijërisë, Diane Holczek, me të cilën pati dy fëmijë dhe jetuan së bashku për 30 vjet. Menjëherë pas martesës, ai do të rekrutohej në Forcat Ajror. Si pilot ai shërbeu nga larg në Luftën Koreane.
Norris, i cili ishte i dashur nga kolegët e tij, do t’i vihej nofka “Chuck” të cilën më vonë do ta përvetësonte në kinema. Në atë kohë, Norris do të magjepsej nga një art i ri marcial, i cili vinte nga Koreja dhe po zhvillohej gjithnjë e më shumë, Tang Soo Do Moo Duk Kwan.

Nisi të merrte mësime. Trajneri i tij ishte një legjendë e arteve marciale, Jen Jun Kim, dhe kur u lirua nga ushtria, themeloi shkollën e tij, duke pasur nxënës të famshëm, si Steve McQueen dhe Priscilla Presley. Ai do të fillojë të marrë pjesë në gara, fillimisht duke humbur, por më pas do të fitonte me radhë Kampionatin Kombëtar të Karatesë në SHBA, Kampionatin Botëror Profesional dhe shumë të tjera. Në përgjithësi, ai krijoi një rekord të shkëlqyer me 65 fitore dhe vetëm 5 humbje, deri në daljen në pension në vitin 1974.

Me ngadalë ai do t’i drejtohej kinemasë – thuhet se me nxitjen e Steve McQueen – dhe në vitin 1972 do të luante një rol përballë legjendës së arteve marciale Bruce Lee, në filmin “Agjenti i verdhë kundër mafias”. Ai bëri paraqitjen e tij të parë si protagonist në aventurën aksion “Rush and break it”, ndërsa në dy vitet e ardhshme do të luante në filmat “Djemtë vishen të zeza” dhe “Penisheri i Hong Kongut”.
Me numrin e fansave të filmave të arteve marciale që po rritej në të gjithë botën, Norris do të luante në “Veterani” (1984), në të cilën ai del si një ish-i burgosur që kthehet në Vietnam për të liruar të burgosurit amerikanë nga vietnamezët “e tmerrshëm”.

Suksesi i filmit do të çonte në dy vazhdime të tjera, pjesë e “fushatës” së Amerikës konservatore të Reaganit për të shëruar plagët e lëna nga Lufta e Vietnamit mbi amerikanët.

Në thelb, aty ku SHBA-të humbën në realitet, ata marrin një hakmarrje kinematografike.