Ballina Rajoni Identifikohen 12 lista të rreme të SNS-së për zgjedhjet lokale në Serbi,...

Identifikohen 12 lista të rreme të SNS-së për zgjedhjet lokale në Serbi, dyshon se janë edhe katër të tjera

84
0

Drejtori programor i Center for Research, Transparency and Accountability (CRTA), Rasha Nedeljkov, deklaroi të hënën se kjo organizatë joqeveritare deri më tani ka identifikuar 12 lista të rreme në zgjedhjet lokale të caktuara për 29 mars në 10 njësi të vetëqeverisjes lokale, si dhe dyshon se edhe katër lista të tjera mund të jenë të tilla.

Nedeljkov tha për televizionin N1 se një nga mënyrat me të cilat partia në pushtet SNS përpiqet të manipulojë procesin zgjedhor është pikërisht përmes këtyre listave të rreme, transmeton danas, përcjell KosovaPress.

“Një nga taktikat është që në mënyrë mashtruese të regjistrohen lista që në fund marrin më pak vota sesa numri i nënshkrimeve që kërkohet për të marrë pjesë në zgjedhje. Deri tani kemi identifikuar 12 të tilla, nga gjithsej 43 lista që marrin pjesë në zgjedhje në këto vende”, tha ai.

Ai shtoi se 12 prej tyre janë praktikisht lista të rreme, ndërsa CRTA dyshon edhe për katër të tjera. Sipas tij, është e sigurt që personat që gjenden në këto lista janë pjesë e partisë në pushtet, por janë kandiduar në lista të veçanta që duhet të japin përshtypjen e listave studentore ose opozitare.

“Kjo jo vetëm që krijon konfuzion tek qytetarët, por është edhe inxhinieri zgjedhore që ndikon në numrin e votave në komisionet e vendvotimeve dhe në komisionet komunale zgjedhore”, tha Nedeljkov.

Ai pretendon se njerëzit në terren janë të ekspozuar ndaj presioneve të vazhdueshme, frikës, shantazheve dhe kërcënimeve. Shtoi se nga 1 dhjetori deri më sot, zyrtarët më të lartë shtetërorë kanë vizituar më shumë se 200 herë vendet ku do të mbahen zgjedhjet.

Sipas tij, listat lokale të SNS zakonisht mbajnë në emër edhe emrin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Marka kryesore e SNS është Aleksandar Vuçiq, gjë që tregon se besimi te liderët lokalë është i ulët. SNS në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale ka fituar më pak vota sesa kandidati presidencial”, shtoi Nedeljkov, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një taktikë jodemokratike.

Zgjedhjet e rregullta lokale në Serbi do të mbahen në Bor, Arandelovac, Bajina Bashta, Kladovo, Knjazhevac, Kula, Lučani, Majdanpek, Smederevska Palanka dhe Sevojno.