Ballina Aktualitet Brenda 2026, SPAK synon ngritjen e një skuadre operacionale përgjimi në terren....

Brenda 2026, SPAK synon ngritjen e një skuadre operacionale përgjimi në terren. Do shmanget policia…

144
0

Nga Elton Qyno 

Ngritja e një skuadre operacionale nga struktura e posaçme SPAK, do sillte kryerjen e ndjekjes në teren, përgjim dhe arrestimin e personave të përfshirë në veprimtari kriminale.

Strategjia për ngritjen në këmbë dhe futjen në funksion të skuadrës operacionale, pritet të kryhet brenda vitit 2026 dhe kjo gjë do kryhet menjëherë sapo në organikën e Byrosë Kombëtare të Hetimit të shtohen dhe 40 oficerë të rinj.

Aktualisht në BKH ushtrojnë detyrën 60 oficerë. Ndërsa me hyrjen e oficerëve të rinj numri total do shkojë 100 OPGJ.

Nisur nga kjo situatë Drejtuesi i BKH-së Joni Keta dhe Drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho, kanë nisur punën për ngritjen e kësaj njësie operacionale, duke kërkuar që një pjesë të vëzhgimit, përgjimit dhe arrestimit në teren ta kryejnë vetë.

Qëllimi është shmangia e Policisë së Shtetit në kryerjen e veprimeve hetimore të fshehta si përgjimi dhe vëzhgimi. Por njëherësh SPAK synon të shkëpusë totalisht pavarësinë e tij nga Policia e Shtetit, për pjesën e kryerjes së ekzekutimeve të vendimeve penale dhe arrestimin.

Ngritja e kësaj strukture është një njësi e re, që futet në strukturën e posaçme SPAK dhe padyshim duhet të funksionojë njësoj si strukturat e vëzhgimit në teren që janë në Policinë e Shtetit.

Por kjo strukturë synohet të ketë më tepër kontroll, më tepër pajisje të sofistikuara përgjimi dhe që synohet të mos dekonspirojë hetimet tek subjektet e krimit të organizuar dhe politikës.

Nga ana tjetër, ekspertët thonë se ngritja e kësaj strukture mund të sjellë kthimin e SPAK dhe BKH-së në institucione represive duke çuar në shtimin e rasteve të abuzimit me të drejta të njeriut, përmes përgjimeve të paligjshme dhe vëzhgimit të personave janë standardeve ligjore.

Kujtojmë se SPAK dhe BKH, kohën e fundit ka investuar në teknologji të lartë për kryerjen e përgjimeve. Përmes një projekti 5 milion e 100 mijë euro, SPAK ka blerë pajisjen përgjuese “IMSI Catcher” dhe po modernizon qendrën e përgjimit.

Sipas dokumenteve vetëm pajisja “IMSI Catcher” ka kushtuar 1 milion e 800 mijë euro. Ndërsa modernizimi i qendrës përgjimi përmes sistemit në versionet e fundit MC-22 dhe rritjen e memories së brendshme, pritet të kushtojë 3 milion e 300 mijë euro.

SPAK kërkon pavarësi të plotë nga Policia e Shtetit, të cilën në disa raste ka humbur besimin për shkak të dekonspirimin të operacioneve dhe dyshimeve të forta se element të policisë janë të lidhur me krimin./syri