Ballina Aktualitet Sokol Sadushi ndërhyri ndaj drejtësisë/ Kallëzim në SPAK për veprimet e tij

Sokol Sadushi ndërhyri ndaj drejtësisë/ Kallëzim në SPAK për veprimet e tij

140
0

Më datë 16 shkurt, në një moment jo pak të dyshimtë, shfaqet Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë, në një leksion që na flet për paraburgimin. Në fakt, burgjet shqiptare, sipas gjoja raporteve të KE-së (në fakt janë raporte ekspertësh të porositur nga qeveria), kanë shumë të burgosur.

Por halli i Sokol Sadushit filloi tani, jo para dy vjetësh, jo para tri vjetësh kur burgjet ishin në këtë gjendje dhe jo për shkak të SPAK-ut, po për shkak të veprimeve të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm, që është dështimi më spektakolar i reformës në drejtësi në nivelin e korrupsionit, paaftësisë dhe mbushjes së burgjeve me qytetarë të thjeshtë për gjëra që mund të përdoreshin 1001 mënyra të tjera si masa alternative, për hallet dhe hallexhinjtë, që kanë mbushur burgjet.

Tani që në paraburgim shkojnë zyrtarë të lartë dhe përfundoi dhe Erion Veliaj, u shqetësua Sokol Sadushi dhe na doli e na dha një leksion më datë 16 shkurt. Tetë ditë më vonë, më 24 mars, zhvillohej seanca ndaj zotit Erion Veliaj në Gjykatën e Apelit. Ky i fundit kërkoi që si provë të merrej leksioni i profesor Sokol Sadushit. Pra, profesori del dhe jep një leksion për paraburgimin, Erion Veliaj, i paraburgosuri me 13 akuza të rënda penale që shtyn gjyqin e tij pa ndalim me pretendimin se nëpërmjet instrumenteve të ndryshme do të fitojë lirinë, na sjell profesor Sadushin në sallën e gjyqit.

Në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj kërkon që provë të merret leksioni i profesor Sadushit për paraburgimin. Dhe kjo na tregon thjesht se leksionet e Sadushit dhe veprimet në lidhje me paraburgimin, për të ndryshuar vendimet e Kolegjit të Bashkuar, janë thjesht dhe vetëm me një qëllim: lirimin e Erion Veliajt. Burgjet në fakt nuk i ka mbushur SPAK-u dhe problemi i të paraburgosurve nuk është i SPAK-ut, por siç theksuam, është i Policisë dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm. Por Sokol Sadushi na jep një leksion dhe Erion Veliaj e merr dhe kërkon të administrohet si provë në gjykatë.

Më pas, një ditë para se t’i jepet një vendim gjykate i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ndërhyn me një veprim të ndërmjetëm. Vendimi duhej të jepej nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë më datë 10 në orën 9:30. Më datë 9 në mbrëmje, zyra e shtypit e Gjykatës së Lartë njofton se për herë të parë kryetari i gjykatës, Sokol Sadushi, po ushtron të drejtën e tij dhe po kërkonte të ndërhynte në një çështje të caktuar me një vendim të ndërmjetëm. Pyetja është e thjeshtë: Gjykata e Lartë ka 20 mijë dosje, ku e dinte Sokol Sadushi dosjen e Lezhës që na e çonte në gjykatë, që t’i jepte një vendim të ndërmjetëm dhe të mos lejonte kolegët e tij të Kolegjit Penal të jepnin një vendim? Sepse të nesërmen ata do të flisnin, ata mund të mos e pranonin rekursin, ata mund ta pranonin… Ndërhyn Sokol Sadushi dhe e vë përpara zgjidhjen e “problemit” të paraburgimit ku qëllimi është nxjerrja e Erion Veliajt. A ka këtu një vepër penale?

Skema dhe skenarë me pionierë partizanë që herët a vonë e zbuluan krejtësisht fytyrën e tyre, si turpi i reformës në drejtësi, të nxjerrë nga dritaret, hedhin helmin me veprimet e tyre si mirënjohje për detyrën e marrë pa kaluar në veting. Katapultohet në krye të Gjykatës së Lartë, për të marrë të tilla vendime dhe për të kryer të tilla veprime. Ky është Sokol Sadushi, i cili jep një leksion që Erion Veliaj ta kërkojë si provë në gjykatë. Më pas ndërhyn një ditë para se kolegët e tij të japin një vendim në Gjykatën e Lartë dhe ecën përpara me stile të vjetra, të njohura, klasike të drejtësisë komuniste, pasojë e shkollave të së cilës, është profesor Sadushi i Gjykatës së Lartë.

Ky është më shumë sesa skandal, Sokol Sadushi duhet të hetohet për këto veprime të pasuara nga zëra të tjerë mediatikë, të pandehur në GJKKO, përsona nën hetim nga SPAK-u dhe të tjerë prokurorë e gjyqtarë të larguar nga reforma në drejtësi. Të gjithë janë bashkë si një grup i strukturuar për të ndaluar paraburgimin e të korruptuarve.

CNA ka mësuar se në ditët në vijim ndaj Sokol Sadushit do të ketë edhe kallëzim penal në SPAK, për të gjitha veprimet e tij dhe shkeljet ligjore të kryera.