Shkrimtari dhe politikani Namik Dokle u nderua në Akademinë e Shkencave në 80-vjetorin e lindjes, në një aktivitet që bëri bashkë personalitete të kulturës, shkencës dhe politikës.
Në takim, Dokle u vlerësua si një personalitet i rëndësishëm i jetës kulturore e shkencore të Shqipërisë, ndërsa u promovua libri i tij më i ri, “Atje ku dielli lind dy herë – Saga e Gorës”. Vepra vjen si një rrëfim i gjerë letrar mbi historinë, duke përfshirë traditat dhe jetën e banorëve të krahinës së Gorës e duke ndërthurur kujtesën historike me rrëfimin artistik dhe dimensionin njerëzor të personazheve.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole e vlerësoi librin e Dokles si një monument letrar që shpaloset me ngjyra të gjalla nga pena e shkrimtarit, ku kultivohen vlerat e shtresave sociale dhe të zhvillimit të jetës në një kohë të caktuar.
Me një dimension të ri të rrëfimit historik, romani shërben si pikë referimi për studimet e mëtejshme për historinë, kulturën dhe traditat e kësaj krahine.







