Ballina Politika Ambasda britanike dhe gjermane folën për imunitetin e Ballukut, reagon Rama

Ambasda britanike dhe gjermane folën për imunitetin e Ballukut, reagon Rama

90
0

Ka reaguar Kryeministri Edi Rama këtë të enjte lidhur me dy deklaratat zyrtare të ambasdës britanike dhe asaj gjermane në Shqipëri lidhur me rrëzimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Rama ka thënë se përshëndet deklaratat e ambasadave por sipas tij Kuvendi e ka refuzuar me të drejtë kërkesën e SPAK.

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%. Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj:

 • Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian.

• Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.

• Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar Komisionit Europian.

• Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.

• Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë. Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë! Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B.