Ballina Politika Kur Spiropali mungon dhe Xhafaj hesht, dëshmia se në PS nuk ka...

Kur Spiropali mungon dhe Xhafaj hesht, dëshmia se në PS nuk ka më debat, por vetëm bindje

87
0

Mosprezenca e Elisa Spiropalit në seancën e votimit për mandatin e Belinda Ballukut ishte i vetmi lajm që prodhoi dje Parlamenti i Shqipërisë. Ndërsa raportet dhe qëndrimet e PS dhe PD ishin të njohura, përfshirë dhe protestën e vakët të opozitës, kryefjala u zhvendos tek mungesat e ish-ministres së Jashtme dhe kryetarit të komisionit parlamentar Fatmir Xhafaj. Ky i fundit ishte përpjekur të gjente një arsye familjare. Aspak bindëse si arsye për dikë që e konsideron veten si “babain” e reformës në drejtësi, të cilën PS me në krye Edi Ramën e flakën në koshin e politikës si një argument që nuk mund të përdoret, ndërsa ka qenë këto vite karta më e fortë në dorën e Edi Ramës.

Gjithsesi, me kostumin që i ka prerë vetes si reformatori i ardhshëm i reformës, me hapat konkrete që ka hedhur për të ndryshuar strukturën dhe funksionimin e SPAK, Fatmir Xhafaj me një qëndrim hileqar u përpoq dje të dukej sikur i dhimbsej reforma në drejtësi. Të njëjtin qëndrim duket se ka adoptuar dhe Elisa Spiropali, e cila në fakt nuk ka asnjë copëz morali në qëndrimin e saj.

Nëse zonja Spiropali do ishte pro drejtësisë dhe kundër përdhunimit që i bëri PS me votimin e djeshëm reformës, ajo duhet ta kishte mbajtur këtë qëndrim edhe kur grupi socialist votoi për Erjon Velinë. Asokohe Elisa, në funksion të marrjes së postit të kryetares së Kuvendit, braktisi “shokun e armëve” dhe ishte sinkron me Edi Ramën. Këtë herë, mesa duket, sherret e saj me Ballukun dhe xhelozia se Skënderbeun ia kishte rrëmbyer Belinda e shtynë të vepronte më shumë e prirur nga emocionet se logjika apo politika.

E prekur nga idhulli i saj që nuk e mbajti më ministre, ndoshta më shumë se të gjithë në mbledhjen e kryesisë ajo i ka merituar fjalët e Edi Ramës: se të gjithë ju këtu jeni prej meje. Dhe pa mua nuk ka PS. Për fat të keq kryeministri kishte të drejtë t’ua përplaste në fytyrë kryesisë së tij të vërtetën e hidhur se ata nuk janë më qenie politike, por thjesht vasalë të tij. Se mes tyre nuk ka më asnjë identitet apo personalitet që mund të kundërshtojë apo debatojë idetë dhe aktet e kryeministrit.

Ajo PS ka vdekur me kohë dhe Elisa me shokë e shoqe kanë qenë më të lumturit në varrimin e saj. Ndaj çdo lëvizje jashtë radhës që ndodh pa ide, pa argument dhe pa qëndrim politik e publik është thjesht shfryrje emocionesh apo xhelozi banale brenda një organizate që nuk ka më asnjë identitet politik.

PS është thjesht haremi i Edi Ramës dhe vetëm ai, si sulltan i plotfuqishëm, mund të zgjedhë e të bëjë ç’të dojë me të. Madje dhe të të përjashtojë nga haremi pa asnjë arsye./vna