Ballina Aktualitet Kurti: Nga 15 marsi nis zbatimi i plotë i Ligjit për të...

Kurti: Nga 15 marsi nis zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Veturat

69
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nga 15 marsi do të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Veturat, duke theksuar se procesi do të zhvillohet në koordinim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb.

Pas takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, Kurti deklaroi se faza e parë e zbatimit ka nisur më 15 janar dhe se tashmë janë bërë përgatitjet për hyrjen në fuqi të plotë të ligjeve.

“Siç edhe jeni informuar dhjetëra herë në këta dy muajt e fundit, nga data 15 fillon zbatimi i plotë i dy ligjeve të rëndësishme për sigurinë tonë si individuale ashtu edhe nacionale, por edhe për menaxhim më efikas të migrimit si dhe qarkullimit në trafik. Është fjala për ligjin për të huajt dhe atë për veturat, të dyja këto në harmoni të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian. Duke filluar nga data 15 janar e këtij viti, ne kemi nisur me fazën e parë të zbatimit të këtyre ligjeve, fazë kjo më shumë e orientuar në qartësim, informim dhe vetëdijësim për qytetarët rreth obligimeve dhe të drejtave shtesë të cilat burojnë për ta nga dispozitat e këtyre dy ligjeve. Por njëkohësisht fazë e përdorur për të bërë përgatitjet e duhura që garantojnë një zbatim efektiv të ligjeve”, tha ai.

“Tash 15 marsi është afruar dhe besoj që gjithçka është gati për një fillim të mbarë. Jam i sigurt se të gjithë ne do të dalim fitues nga zbatimi i këtyre dy ligjeve e besoj fuqishëm që më së shumti do të përfitojnë ata të cilëve edhe u drejtohet ky ligj. Pra të huajt, që falë rregullave të përcaktuara me ligj, do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit të tyre në vend, më shumë parashikueshmëri e më shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimeve të tyre. Kjo vlen sidomos për ata që Kosovën e shohin edhe si mundësi për të qëndruar më gjatë dhe destinacion të përshtatshëm për të siguruar mirëqenien e tyre ekonomike”, tha ai.

Duke folur për ndikimin e ligjit te qytetarët që vijnë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, ai theksoi se qëllimi nuk është ndërprerja e shërbimeve, por legalizimi i tyre brenda kornizës ligjore të Kosovës.

“Të nderuar qytetarë, nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që vijnë apo qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanovci, fshatrat dhe qytetet e tjera të Serbisë. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia. Dua të potencoj që nuk është interesi i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat, të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrim i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jo miqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënvizuar rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Ky legalizim në praktikë do të përkthehet jo vetëm në zbatim të plotë të ligjit gjithandej Republikës së Kosovës, por edhe në më shumë cilësi të këtyre shërbimeve, më shumë financim, më shumë prezencë dhe e tëra kjo nënkupton më shumë siguri për qytetarët të cilët i konsumojnë të njëjtat shërbime”, tha ai.

Kurti shtoi se inkorporimi nuk ka për qëllim zvogëlimin e të drejtave, por fuqizimin e tyre dhe se procesi do të bëhet në koordinim të ngushtë me BE-në dhe me komunitetin serb lokal.

“Pra qëllimi final i inkorporimit nuk është zvogëlim i cilësdo së drejtë, por fuqizim i tyre. Rrjedhimisht asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk e ka arsyen më të vogël që t’i druhet këtij inkorporimi, por t’i gëzohet benefiteve të cilat do të rezultojnë nga ky proces. Natyrisht se për ne është e qartë që i gjithë procesi i legalizimit merr kohë. Po ashtu e nënvizoj që i gjithë ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialog, por dhe në koordinim e konsultim të vazhdueshëm me serbët lokalë. Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët e komunitetit serb të besojnë në përfitimet nga procesi si dhe detyrimet të cilat burojnë nga marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit dhe korniza ligjore e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai njoftoi se Qeveria do të pajiset me listat e stafit akademik dhe shëndetësor për t’u dhënë leje të përkohshme qëndrimi 12-mujore, ndërsa e njëjta procedurë do të vlejë edhe për studentët e huaj.

Nisur nga ky kontekst dhe për të kryer procesin e legalizimit duke u siguruar që nuk vihet deri te pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike në arsim dhe në shëndetësi, Qeveria e Republikës së Kosovës do të fillojë me inkorporimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor brenda kornizës ligjore të vendit tonë. Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, lista këto që pastaj do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë te Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës. Mospërputhjet eventuale në raste individuale do të verifikohen nga autoriteti përkatës”, tha ai.

“E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Republikën e Kosovës për qëllime studimore, për të cilët krerët komunalë do të ofrojnë listën e plotë të tyre me informatat e detajuara për fushën e studimit dhe vitin akademik. Këtyre studentëve pas aplikimit të suksesshëm Ministria e Punëve të Brendshme do t’ju ofrojë leje të përkohshme të qëndrimit me afat 12 mujor me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. E njëjta procedurë aplikohet edhe për aplikantët e rinj që regjistrohen në vitet e mëvonshme akademike. Paralelisht me këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në koordinim të vazhdueshëm me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me ofruesit e këtyre shërbimeve publike fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet optimale për inkorporim të plotë, përfshirë këtu licencimin e institucioneve dhe të stafit të angazhuar. Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re tre mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet edhe përdorimi ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jo legale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë udhëzime të detajuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda sistemit qendror të regjistrit civil të Republikës së Kosovës”, tha ai.