Ballina Aktualitet Rrjeti ‘SafeJournalists’ shpreh shqetësim për trajtimin e gazetares Ambrozia Meta nga Edi...

Rrjeti ‘SafeJournalists’ shpreh shqetësim për trajtimin e gazetares Ambrozia Meta nga Edi Rama

67
0

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim lidhur me zhvillimet gjatë konferencës për shtyp të mbajtur nga Kryeministri Edi Rama më 13 mars 2026 në Tiranë.

Konferenca u ndërpre pas një shkëmbimi të tensionuar mes Kryeministrit dhe gazetares Ambrozia Meta gjatë diskutimit të një çështjeje me interes publik. P

as ndërprerjes, Kryeministri i komunikoi gazetares se ajo nuk do të lejohej më të merrte pjesë në konferencat e tij për shtyp. Incidente të ngjashme mes Kryeministrit dhe gazetares Ambrozia Meta janë dokumentuar edhe më parë dhe kanë nxitur reagime nga mekanizmat e monitorimit të lirisë së medias, përfshirë Rrjetin SafeJournalists.

Ndërsa debati i fortë mes gazetarëve dhe zyrtarëve publikë është pjesë e kontrollit demokratik, incidentet e përsëritura që çojnë në përjashtimin e gazetarëve ose në stigmatizimin e mediave kritike rrezikojnë të krijojnë një precedent që minon aksesin e barabartë në informacion publik dhe dobëson llogaridhënien publike.

Gjatë të njëjtës ndërprerje të konferencës për shtyp, edhe gazetarit Isa Myzyraj, Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, iu kërkua të largohej pas një shkëmbimi verbal. Komunikimi i respektueshëm dhe profesional mes zyrtarëve publikë dhe gazetarëve është thelbësor për të siguruar që konferencat për shtyp të mbeten hapësira ku gazetarët mund t’u bëjnë pyetje atyre që ushtrojnë pushtet për çështje me interes publik.

Rrjeti SafeJournalists vëren gjithashtu me shqetësim retorikën e përdorur ndaj mediave kritike gjatë konferencës për shtyp.

Përdorimi i përsëritur i termit “tenxhere” për t’iu referuar disa mediave mbart një konotacion përçmues dhe nënçmues në kontekstin shqiptar dhe rrezikon të stigmatizojë gazetarinë kritike.

Rrjeti SafeJournalists rikujton se shqetësimet lidhur me sjelljen apo ligjshmërinë e mediave kanë kanale institucionale në Shqipëri. Çështjet që lidhen me standardet gazetareske dhe praktikën editoriale duhet të trajtohen përmes organeve përkatëse të vetërregullimit dhe rregullimit, në përputhje me procedurat në fuqi.

Rrjeti shpreh gjithashtu shqetësim për akuzat publike të bëra gjatë konferencës për shtyp se dy media janë të përfshira në aktivitete kriminale, si pastrim parash apo evazion fiskal, pa u paraqitur asnjë provë.

Kur bëhen pretendime për veprimtari kriminale ndaj organizatave mediatike, këto bien në juridiksionin e autoriteteve kompetente të zbatimit të ligjit dhe duhet të trajtohen në përputhje me procesin e rregullt ligjor, prezumimin e pafajësisë, si dhe me parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Akuzat publike për veprimtari kriminale nga një kryetar qeverie në një konferencë për shtyp, pa prova dhe jashtë çdo kuadri institucional, nuk përbëjnë llogaridhënie, por rrezikojnë të krijojnë presion ndaj mediave

Detyrimi i shtetit për të mbrojtur lirinë e medias, sipas standardeve të Këshillit të Europës, nuk varet nga vlerësimi i qeverisë për vijën editoriale apo pronësinë e një mediaje.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve publike në Shqipëri të sigurojnë akses transparent dhe të barabartë për të gjithë gazetarët në aktivitetet zyrtare për shtyp, të shmangin përjashtimin selektiv të gazetarëve dhe të trajtojnë çdo pretendim ndaj mediave vetëm përmes kanaleve ligjore dhe institucionale, duke respektuar plotësisht lirinë e medias dhe procesin e rregullt ligjor.

Rrjeti gjithashtu inkurajon organizatat mediatike dhe gazetarët të vazhdojnë të respektojnë standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit gazetaresk.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 13 mars 2026

Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi