Selaniku festoi edhe këtë vit 28 Tetorin, festën kombëtare të vendit, me paradën e madhe ushtarake, duke përkujtuar ditën kur Greqia i tha «Jo» Italisë fashiste.
Mijëra qytetarë u mblodhën përgjatë bulevardit “Megas Alexandros” për të ndjekur nga afër repartet këmbësore dhe mjetet ushtarake të Forcave të Armatosura, si dhe fluturimet e forcave ajore.
Në tribunën zyrtare ndodheshin Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias, si edhe përfaqësues të tjerë të jetës politike dhe ushtarake.
Por këtë vit, përtej karakterit tradicional të paradës, vëmendjen e tërhoqën sidomos sistemet e reja të armatimit dhe teknologjitë që prezantuan Forcat e Armatosura greke.
Për të dytin vit radhazi mori pjesë edhe Njësia e Sistemeve të Reja të Armatimit dhe Inovacionit, duke paraqitur mjete dhe aplikime që lidhen me modernizimin e ushtrisë greke. Në paradë u prezantuan gjithashtu sisteme të reja të mbikëqyrjes, dronë, mjete të telekomanduar dhe teknologji që synojnë të rrisin aftësinë e zbulimit, reagimit të shpejtë dhe mbrojtjes së Forcave të Armatosura greke.
Përballë tribunës së zyrtarëve ishte vendosur një ekran gjigant, ku transmetoheshin në kohë reale pamje nga dy dronë. Njëri transmetonte nga parada në Selanik, ndërsa tjetri nga një patrullim në Egjeun Lindor. Kjo ishte edhe një nga pamjet më karakteristike të paradës së sivjetme, një kombinim mes traditës ushtarake dhe teknologjisë së re, me dronë, sisteme moderne dhe mjete të avancuara që po hyjnë gjithnjë e më shumë në operacionet e Forcave të Armatosura.
Pas paradës, kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Greqia po zbaton programin më të madh të armatimeve në historinë e Forcave të Armatosura, me synim forcimin e kapaciteteve parandaluese të vendit.
Finalja më spektakolare erdhi nga ajri kur një avion luftarak F-16 i ekipit demonstrues “Zeus”, kreu manovra precize mbi Selanik.“Një fjalë ndryshon historinë dhe për grekët kjo fjalë është ‘Jo’”, ishte mesazhi i pilotit gjatë fluturimit mbi gjirin e qytetit.







