Më datë 11 Mars, mediat raportuan se 61 mijë faqe materiale nga dosja i janë dorëzuar kryebashkiakut Erion Veliaj në Burgun e Durrësit.
Në fakt, e vërteta është se një ditë më parë, pra në datën 10 mars oficerët e Drejtorisë së Burgjeve kanë shkuar për t’i dorëzuar materialet Erion Veliajt në burgun e Durrësit, por kryebashkiaku i ka refuzuar.
Gjatë këtij takimi, Erion Veliaj është përplasur verbalisht me oficerët e Burgjeve. Pas vendimit të gjykatës më 9 Mars për t’i plotësuar një tekë Erion Veliajt pra një kapriço të tij, pasi kërkonte t’i kishte të printuara materialet e dosjes hetimore, materiale që i ishin dhënë më parë me procesverbale avokatëve të tij, gjykata ngarkoi me përgjegësi Drejtorinë e Burgjeve për t’ia dorëzuar kryebashkiakut Erion Veliaj të gjithë materialet me mbi 60 mijë faqe, të cilat në këtë rast do të duhet t’i paguajnë taksat e shqiptarëve.
Veliaj i kishte marrë më parë këto materiale, avokatët e tij i kishin administruar por mesa duket nuk kishte disa dhjetëra mijë lekë të vjetra për t’i printuar ndërkohë që paguan 220 mijë dollarë studio lobimi në SHBA.
Gjykata dha vendimin dhe oficerët shkuan ta zbatonin. Në datën 10 mars oficerët kanë shkuar në mëngjes në ambientet e burgut të Durrësit për t’i dorëzuar kryebashkiakut Erion Veliaj të gjitha materialet e plota, dosjet hetimore prej më shumë se 60 mijë faqesh por kryebashkiaku ka refuzuar t’i marrë ato dhe është përplasur verbalisht me oficerët me sharje, me kërcënime, duke thënë se ku është vendimi i gjykatës, pse ia kishin çuar kaq shpejt këto dokumente, duke mbajtur qëndrime të ashpra dhe duke krijuar përplasje.
Oficerët pasi kanë mbajtur procesverbalet përkatëse për këtë çështje janë larguar nga ambientet e burgut të Durrësit. Të nesërmen në media u raportua se Erion Veliaj i kishte marrë materialet.
Lajmi shpërtheu në mediat kryesisht të paguara nga vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj, Arbër Veliaj, të cilët fillimisht raportuan se Erioni i kishte marrë dokumentet sipas vendimit të gjykatës.
Në fakt një ditë më pare, më 10 Mars i kishte refuzuar. Të nesërmen pasi ndoshta është konsultuar me avokatët e tij apo me persona të tretë kryebashkiaku Veliaj i cili ndodhet në burgun e Durrësit për 13 akuza të rënda penale ka komunikuar me drejtorin e burgut të Durrësit të cilit i ka kërkuar t’i vendoseshin në dispozicion materialet dhe t’i thërriste sërish oficerët dhe t’ia dorëzonin ato me procesverbal.
Kështu ka ndodhur. Drejtuesi i burgut të Durrësit nuk e ka kundërshtuar këtë kërkesë të Erion Veliajt duke ia plotësuar tekën sërish pasi një ditë më parë kishte refuzuar t’i merrte materialet hetimore.
Menjëherë ato i janë vënë në dispozicion nga oficerët të cilëve një ditë më parë Erion Veliaj çfarë nuk iu kishte thënë dhe të nesërmen ndryshoi qëndrim.
Ndoshta dhe kjo puna e procesit në gjykatë të Erion Veliajt kalon nga hëna e tij, ndoshta ende vazhdon t’i duket vetja kryetar bashkie dhe ende se ka pranuar ose se ka kuptuar se mbi të rëndojnë 13 akuza të rënda penale dhe rrezikon shumë vite burg.







