Ballina Ekonomia CGES investon 15 milionë euro në linjën e interkonjeksionit Bosnjë-Mali i Zi-Shqipëri

CGES investon 15 milionë euro në linjën e interkonjeksionit Bosnjë-Mali i Zi-Shqipëri

90
0

Operatori i sistemit të transmetimit të Malit të Zi, Crnogorski Elektroprenosni Sistem (CGES), ka siguruar një kredi prej 15 milionë eurosh për modernizimin e linjës 220 kV që lidh Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Sipas CGES, projekti do të përmirësojë besueshmërinë dhe efikasitetin e transmetimit të energjisë elektrike në Mal të Zi, si edhe do të forcojë ndërlidhjen ndërkufitare në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në integrimin më të madh rajonal të sistemeve energjetike.

Marrëveshja e kredisë u nënshkrua nga drejtori ekzekutiv i CGES, Ivan Asanović, me Mark Bowman, zëvendëspresident i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe me Novica Vuković, ministër i Financave i Malit të Zi.

Asanović tha se ky investim është shumë më tepër sesa modernizimi i një linje të vetme transmetimi.

“Është një investim në një të ardhme energjetike të sigurt, të qëndrueshme dhe më të ndërlidhur për rajonin”, theksoi ai.

“Duke përmirësuar lidhjen 220 kV mes Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, ne po forcojmë besueshmërinë e transmetimit të energjisë elektrike dhe po thellojmë më tej ndërlidhjen energjetike të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.

Asanović bëri të ditur gjithashtu se modernizimi do ta rrisë kapacitetin e linjës së transmetimit nga 300 MW në rreth 600 MW.

“Për ne, ky është një hap i rëndësishëm drejt një rrjeti më rezistent, që mund t’u përgjigjet nevojave në rritje të sistemit dhe bashkëpunimit rajonal gjithnjë e më intensiv”, u shpreh ai.

Sipas Mark Bowman, zëvendëspresident i BERZH-it, forcimi i rrjeteve të transmetimit është thelbësor për sigurinë energjetike dhe integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, projekti do të modernizojë infrastrukturën kyçe në Mal të Zi dhe do të kontribuojë në një sistem energjetik më të besueshëm dhe më rezistent, në përputhje me angazhimin e BERZH-it për zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme.

Ministri malazez i Financave, Novica Vuković, theksoi se përmes garancisë së dhënë nga Ministria e Financave, shteti ka konfirmuar edhe një herë angazhimin për të mbështetur investimet strategjike që forcojnë infrastrukturën kombëtare të energjisë dhe lidhjet rajonale.

Vlen të theksohet se CGES planifikon të investojë 200 milionë euro gjatë pesë viteve të ardhshme./ekofin.al