Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia në lidhje me vendimin e sotëm të GJKKO për të kaluar dosjen e tij në gjykim.
Meta deklaroi se reforma në drejtësi, të cilën e quajti “Ramaforma” ka prodhuar një sistem të dirigjuar, që sipas tij ka ndikuar në rritjen e korrupsionit në vend. Ai iu referua edhe raportit të Transparency International, duke pretenduar përkeqësim të renditjes së Shqipërisë krahasuar me një vit më parë.
Duke komentuar vendimin e gjykatës, Meta theksoi se, ndonëse gjyqtarja ka pranuar një pjesë të pretendimeve të mbrojtjes lidhur me mungesën e veprimeve hetimore, çështja është dërguar për gjykim në themel.
“Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës”, shkruan Ilir Meta.
Ai ftoi gazetarët dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë që të ndjekin nga afër seancat gjyqësore, duke premtuar se gjatë procesit do të publikohen, sipas tij, “gënjeshtra, falsifikime dhe mashtrime” të përfshira në dosje.
Reagimi i Ilir Metës
Drejtësi me Regji dhe gjykim “me risi”
Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë.
Sot u shënua edhe një gjykim “me risi”.
Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim.
Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.
Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.
Falenderoj dy avokatët e mi, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima për punën e tyre dhe për pranimin e të gjithë provave të reja nga gjykata, të paraqitura prej tyre, të cilat prokurorët i kishin shmangur qëllimisht.
I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij.







