Nxitimi për të ardhur në jetë nuk u dha kohë mamit dhe babit të shkonin në spital për lindjen. Kjo është historia që mami Ariola, 29 vjeçe, dhe babi Jetmir Aruçi, 35 vjeç, do t’i tregojnë vajzës së tyre, e cila, ditët e fundit, ka qenë një nga vajzat e para që lind pas të paktën pesëdhjetë vitesh pikërisht në fshatin Sorgà.
Në shtëpi, ashtu siç ndodhte dikur. Sot në fakt, kush jeton në fshat dhe pret një fëmijë i drejtohet spitaleve të Isola della Scala ose Villafranca. Por Isabel nuk ndoqi “protokollet” moderne dhe dha shenja se donte të lindte menjëherë, ndërsa mamaja ishte në dhomën e vëllait të saj të vogël, Lion. Kështu, babait 35-vjeçar nuk i mbeti gjë tjetër veçse të telefononte i alarmuar 118-ën dhe të vazhdonte lindjen në shtëpi, me ndihmën e një fqinje që u improvizua si mami, nën udhëzimet e personelit shëndetësor.
Ora dy e natës
“Rreth orës dy të natës,” tregon ende i emocionuar babai Jetmir, “gruaja ime pati dhimbje. Lindja ishte planifikuar për 16 mars dhe nuk u shqetësuam shumë, edhe sepse kontraktimet ishin të rralla. Doktoresha jonë na kishte thënë të qëndronim të qetë, se nuk ishte momenti”.
Por e vogla Isabel ishte e paduruar të vinte në jetë, aq sa brenda pak çastesh i plasën ujërat, pikërisht kur mamaja ishte në dhomën e Lionit për ta qetësuar.
“Telefonova 118 për të kërkuar ndihmë,” vazhdon Jetmiri, “por gruaja më tha që nuk kishte kohë dhe që vajza duhej të lindte. Brenda pak minutash pashë të dilte koka dhe thirra fqinjët për ndihmë. Në fillim menduan se duhej të shkonim në spital, pastaj kuptuan që gjithçka duhej bërë në shtëpi. Operatori në telefon më tregoi si të veproja dhe pas pak çastesh pashë të vinte në jetë vajza ime e vogël, Isabel. Më ndihmoi fqinja ime. Pastaj erdhi ambulanca me mjekun. E gjetën gruan dhe vajzën në gjendje të mirë dhe i çuan menjëherë në spitalin e Villafranca-s, ku qëndruan për tre ditë”.
Kordoni i kërthizës
Gjatë lindjes në shtëpi, Jetmiri dhe fqinja vunë re se kordoni i kërthizës ishte mbështjellë rreth qafës së Isabelës dhe me një manovër të kujdesshme arritën ta zhvendosin, duke shmangur probleme me frymëmarrjen e vogëlushes.
“Me një gisht,” shpjegon babai i ri, “iu afrova qafës së Isabelës dhe arrita ta heq kordonin në kohë, para se trupi i saj të dilte plotësisht. Vajza peshonte tre kilogramë dhe mjekët na thanë menjëherë se ishte mirë”.
Mami Ariola ishte shumë e shqetësuar për lindjen në shtëpi, duke pasur frikë e komplikacioneve. Por fati e deshi që Isabel të vinte në jetë me një lindje që zgjati më pak se 20 minuta.
Vëllai i vogël Lion
Mami dhe vajza tani janë shumë mirë dhe po rikuperohen nga gjithë ajo situatë, të përkujdesura me dashuri nga Jetmiri dhe nga Lioni i vogël, i cili vetëm 5 vjeç pa motrën të lindte në dhomën e tij, pranë lodrave të tij të preferuara.
“I shpjeguam,” përfundon babai, “se Isabel kishte dashur të lindte pikërisht pranë tij, për ta bërë të ndihej krenar: Lion është shumë i lumtur dhe ndihet i rëndësishëm”.
Familja Aruçi është me origjinë nga Shqipëria dhe të dy prindërit jetojnë prej shumë vitesh në Itali. Jetmiri punon në një kompani në Verona, ndërsa Ariola në një kompani shumëkombëshe.
Të dy kanë zgjedhur të jetojnë në Sorgà për qetësinë e fshatit, duke e konsideruar vendin e duhur për të rritur fëmijët e tyre, larg zhurmës së qytetit./ L’ARENA







