Ballina Politika Salianji takim me intelektualët: Berisha dhe Rama janë njësoj. BE nuk do...

Salianji takim me intelektualët: Berisha dhe Rama janë njësoj. BE nuk do autokrat në parti dhe shtet

80
0

Pasi zyrtarizoi kandidaturën e tij në garën për kryetar të PD, Ervin Salianji zhvilloi sot një tryezë me intelektualë dhe pedagogë ku tema ishte demokracia e brendshme e partive politike në vend dhe niveli i demokracisë.

Gjatë fjalës së tij, Salianji tha se Berisha dhe Rama nuk ndryshojnë nga njëri tjetri, ndërsa u shpreh se Shqipëria nuk mund të integrohet në BE me autokratë që privatizojnë partinë dhe shtetin.

“Në shumë raste, për shkak të bllokimit të sistemit dhe mos pasjes së zgjedhjeve mund të jetë mundësi për qarkullimin e elitave. Do doja të diskutonim për demokracinë e brendshme të partive politike. Duhet të jetë rregullim ligjor si funksionojnë partitë politike. Duket sikur dy kryetarët bëhen bashkë. Në model janë njësoj. Kemi një oligarki ekonomike pasojë e asaj politike. Për drejtësinë kujtohen palët vetëm kur preken interesat personale. Kushdo është i bindur se Shqipëria nuk integrohet me autokratë që privatizojnë partinë dhe shtetin”, u shpreh më tej Salianji.

Ai ngriti shqetësimin për deformimin e thellë të sistemit politik dhe pasojat e tij si institucione të dobësuara, vendimmarrje që shërben interesa të ngushta, dhe mungesën e përgjegjësisë politike.

“Pa parti që i nënshtrohen rregullave nuk kemi më demokraci. Sot aktet e dorëheqjes si shenjë përgjegjësie janë zhdukur, ndërsa politika duket sikur ka qëllim dekurajimin e intelektualëve dhe qytetarëve për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse” tha ai.

Salianji gjithashtu theksoi se politika po i bën presion drejtësisë dhe SPAK në veçanti, por kjo e fundit po reziston dhe po jep një kulturë të re duke goditur korrupsionin dhe krimin.