Në pranverën e vitit 2024 socialistët ndryshuan ligjin për Gardën, atëkohë me propozim të deputetit Nasip Naço, duke përcaktuar se drejtuesi zgjidhet përmes një konkursi të hapur, dhe jo si emërim nga kryeministri. Ky ndryshim u kundërshtua fort nga opozita, e cila pretendoi se ndërhyrja po bëhej për t’iu përshtatur një kandidati të paracaktuar, duke paralajmëruar dhe emrin e Ermal Onuzit, i cili faktikisht u emërua më pas në krye të Gardës në shtator të po atij viti.
Onuzi dha dorëheqjen 9 muaj më pas, dhe një garë e hapur për pasuesin e tij dështoi, pa u dhënë asnjë shpjegim për arsyet.
Tani, një propozim ligjor i deputetes socialiste Antoneta Dhima, synon të rikthejë formulën e vjetër të emërimit të drejtuesit të Gardës, pavarësisht argumentimit se ndryshimet sipas saj, synojnë përmirësimin e harmonizimit të normave ligjore, rritjen e qartësisë dhe shmangien e keqinterpretimit.
Projektligji i ri parashikon që Drejtori i Përgjithshëm i Gardës të emërohet nga Kryeministri, pas propozimit të ministrit, dhe të marrë menjëherë gradën “Drejtues Madhor”. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se kandidati duhet të vijë nga radhët e vetë Gardës së Republikës.
Ndryshimet e reja të propozuara nga Dhima heqin disa nga kriteret që u vendosën në vitin 2024. Konkretisht, largohet kërkesa për diplomë master dhe për të paktën 10 vite përvojë pune në fushën e sigurisë.
Gjithashtu, ndryshon edhe kriteri për masat disiplinore. Në projektligjin e ri kërkohet që kandidati të mos ketë pasur masa disiplinore në 3 vitet e fundit, ndërsa në versionin e vitit 2024 mjaftonte që të mos kishte masa në fuqi në momentin e përzgjedhjes.







