Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se qeveria ka vendosur të ringrejë Bordin e Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve.
Gjatë një interviste në Top Story, ministrja bëri të ditur se është vendosur gjithashtu ulja me 20% e akcizës së naftës, nga 39.6 lekë që është aktualisht.
“Duke parë ecurinë në ditët e fundit, kemi vendosur të ringremë Bordin e Transparencës dhe të ndërhyjmë edhe në nivelin e akcizës, duke e reduktuar me 20% nga 39.6 lekë që është aktualisht”, deklaroi ministrja.
Këto dy akte, bëri të ditur ajo, do të kalojnë me urgjencë në Këshillin e Ministrave.
“Dua të bëj të qartë se si do të jetë regjimi në të cilin do të futemi. Kemi një formulë që është në fuqi: marrim parasysh çmimin e bursës Platts, taksat, dhe për çmimin e shumicës do të ketë marzh 3 lekë për litër, ndërsa për çmimin e pakicës 12 lekë për litër. Me anë të këtij mekanizmi garantojmë se çmimet do të jenë të kontrolluara dhe nuk do të ketë abuzim”, deklaroi ajo.
Sipas ministres, këto çmime janë tavan dhe mbi to nuk mund të tregtohet, pasi ka penalitete.
Ministrja theksoi se qeveria, që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, ka ngritur një Taskforcë për monitorimin e çmimeve dhe se nuk rezulton që kompanitë të kenë spekuluar me çmimet, pasi çmimi në bursat ndërkombëtare është rritur me 80%, ndërsa në tregun vendas vetëm me 24%.
“Deri tani ajo që kemi vëzhguar është se nuk ka pasur abuzim me çmimin. Çmimet sot në Shqipëri janë rritur me 24%, ndërsa në bursë janë rritur me 80%. Pra është spekulim të thuash se ka spekulim me çmimet. Marzhi i fitimit të kompanive është rreth 8-9%, i pranueshëm duke konsideruar kostot e të bërit biznes”, tha ministrja.
Ministrja Ibrahimaj po ashtu theksoi se po punohet për ngritjen e një enti publik për sigurimin e rezervave të detyrueshme të karburantit.







