Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko janë të lidhur ngushtë me Mohamed Alabbar, investitorin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i njohur globalisht për projektin Burj Khalifa, i cili po shfaqet gjithnjë e më shumë si një emër kontradiktor në Ballkan.
Ndonëse i promovuar nga qeveritë si simbol zhvillimi dhe modernizimi, projektet e tij madhore deri më tani vetëm në letër po hasin probleme të thella ligjore, politike dhe qytetare. Në takimet e tij me liderët e këtyre vendeve gjatë këtyre viteve ai ka premtuar ndryshime radikale në projektet që ka marrë përsipër të ndërtojë, ku flitet për shuma marramendëse dhe në pika strategjike për secilin vend.
Alabar dhe Edi Rama
Edi Rama, bashkë me Belinda Ballukun në dhjetorin e vitit 2021, e paraqitën Alabbarin si ‘messi në e shqiptarëve’. Të pompuar dhe nga mediat afër qeverisë, shqiptarët u bombarduan me idenë se tashmë dhe ata do kishin Dubain e tyre në Durrës.

Statusi i Ballukut 31 dhjetor 2021
Ka kaluar një kohë shumë e gjatë dhe Mohamed Alabbar, nuk po i fillon punimet as për ndërtimin e pallateve e njësive tregtare që ka shitur në ajër, ndërsa mashtrimi u reklamua në mediat e qeverisë, me një agjenci shitjesh me dyndje blerësish, të cilët ishin persona të përdorur, për të peshkuar blerës “viktima”. Shitjet nisën në gusht 2022, përpara miratimit përfundimtar të marrëveshjes në Kuvend dhe përpara se kompania të kishte të drejta pronësie mbi tokën e Portit të Durrësit. Sipas bilanceve, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar rreth 750 mijë euro, pa përfunduar procedurat ligjore të transferimit të pronës. Shoqëria e përbashkët u themelua zyrtarisht në janar 2023, ku kompania private zotëron 67% të aksioneve dhe shteti shqiptar 33%.
Megjithatë, sipas përllogaritjeve të bëra mbi tokën publike, taksat e falura dhe kostot e lidhura me ndërtimin e portit të ri në Porto Romano i cili ende nuk ka nisur të ndërtohet duke e lënë Shqipërinë pa port, kontributi i shtetit arrin në rreth 665 milionë euro. Në fund të projektit, shteti parashikohet të marrë rreth 515 milionë euro (dividend dhe taksa), çka nënkupton një humbje prej rreth 150 milionë euro. Ndërsa pala private, me një investim fillestar shumë më të ulët, projekton fitime mbi 570 milionë euro. Edhe të ardhurat nga parashitjet janë më të ulëta sesa ishte parashikuar, me rreth 36 milionë euro të mbledhura në dy vite.
Numri i punonjësve në kompani është 55, shumë larg mijëra vendeve të punës të premtuara në fillim. Nëse projekti vijon me këtë ritëm, faza e parë mund të zgjasë deri në 30 vite, ndërsa realizimi i plotë i tij do të kërkonte disa dekada. I përballur nga kjo situatë, Alabbar ka dhënë sinjale se mund të bllokojë projektin, me pretekstin e luftës në Iran. Financial Times raportoi disa ditë më parë se tre nga katër ekonomitë më të mëdha të vendeve të Gjirit po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së investimeve të jashtme për të përballuar kostot e luftës me Iranin dhe pasojat ekonomike të konfliktit.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti po përballen me vështirësi në eksportin e karburanteve, rënie drastike të arkëtimeve nga shitjet dhe kosto mbrojtjeje nga raketat iraniane, që në total shkon deri në 1 miliard dollarë në ditë. Për këtë arsye qeveritë e gjirit përfshirë atë të Alabbar, po vlerësojnë mundësinë e pezullimit të investimeve të mëdha në vendet e tjera të botës.
Alabbar i lidhur edhe me Vuçiç
Mohamed Alabbar është bërë protagonist edhe në Serbi. Përveçse mori Portin e Durrësit te ne dhe projekti ka mbetur në ajër, ai duket se personazh i lajmeve negative është dhe në Serbi. Gazeta opozitare serbe “Nova” ka bërë një artikull disa muaj më parë se si qeveria e Vuçiçit u ka dhënë prona dhe objekte shtetërore njerëzve të afërt, përfshirë kriminelë, këshilltarë dhe biznesmenë. Në listë është edhe arabi Mohamed Alabbar. Sipas medias serbe, vila shtetërore numër 38, në rrugën “Užička”, në pjesën elitare të Dedinjës, i është dhënë kompanisë “ANH Holding Limited”, e cila është në pronësi të Mohamed Alabbar. “Ky miliarder arab është i njohur për publikun tonë si një nga investitorët në Beograd në fushën e ujit, por edhe si një njeri të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në disa fjalime publike e ka quajtur “mik i tij”.
Është evidente se vila në Uzhiçka ka ndërruar pronar, gjë që mund të shihet në Kadastër, por nuk dihet se me çfarë çmimi dhe me çfarë kushtesh biznesmeni arab ka hyrë në posedim të kësaj prone”, shkruan media serbe. Por sipas saj, procedura është bërë në fshehtësi të plotë dhe dyshimet janë se vila mund ti jetë dhënë falas. Por “Nova” ngre dhe një pikëpyetje tjetër, projektet që ka marrë ai kanë mbetur në ajër, sikundër po ndodh dhe me projektin e tij në Durrës, i cili nuk dihet se kur fillon dhe nëse do mbarojë ndonjëherë. “Në Serbi, Muhamed Alabar është shpallur investitor në projektin “Beograd on the Ëater”, por deri më tani askush nga autoritetet nuk ka bërë të ditur se sa ka investuar ky miliarder në projektin që po e financon zyrtarisht”, shkruan media serbe. Sipas “Nova”, për të disatën herë opinionit i është mohuar një përgjigje për pyetjen: Sa para deri më tani kanë ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe për projektin “Beogradi mbi ujë”.
Sipas kontratës, pala serbe i ka dhënë kompanisë “Eagle Hills” në pronësi të Muhamed Alabar 100 hektarë tokë ndërtimore urbane me qira për 99 vjet, por pa kompensim, në këmbim të 32 për qind të pronësisë në ndërmarrjen e përbashkët. Ajo kontratë parashikon investime të përbashkëta në një lokacion prej rreth 177 hektarësh ku ka disa ndërtesa banimi dhe hotele, një qendër tregtare dhe Kullën “Beograd” 168 metra të lartë. Por nuk ka asnjë zhvillim në këtë aspekt.
Lukashenko dhe Alabbar
Ashtu si Rama-Vuçiç, edhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko ka bërë pazare me Alabbar për ndërtimin e një kompleksi shumëfunksional të Ujit Verior brenda kufijve të Unazës së Minskut, Avenue Pobeditelei, Rrugës Orlovskaya dhe Rezervuarit Tsnyanskoye. Kompleksi do të përfshijë ndërtesa banimi me të gjithë infrastrukturën e nevojshme inxhinierike dhe transportuese, objekte të infrastrukturës sociale dhe objekte publike me një sipërfaqe totale prej më shumë se gjashtë milionë metra katrorë. Pra si përfundim, investime miliarda dollarë nga Arabia, nga e njëjta kompani si në Shqipëri, Serbi edhe në Bjellorusi./sot







