Ballina Politika Rama vizaton hartën e re politike të PS: Balluku merr terren, Spiropali...

Rama vizaton hartën e re politike të PS: Balluku merr terren, Spiropali bëhet “rurale” dhe Xhafaj “shef” lagjeje

171
0

Riorganizimi i drejtimit politik të qarqeve nga Edi Rama ka prodhuar më shumë sesa një rishpërndarje organizative. Ai duket si një hartë e re e ekuilibrave brenda Partia Socialiste e Shqipërisë, ku disa figura forcohen dukshëm, disa zhvendosen në periferi dhe disa të tjerë zhduken nga qendrat e vendimmarrjes.

Fituesja më e qartë e këtij riorganizimi duket se është Belinda Balluku, e cila jo vetëm që ruan drejtimin politik të qarkut Fier, por në praktikë konsolidon një rrjet njerëzish të besuar edhe në veri të vendit. Ajo shtin praktikisht në duart dy qarqet më të mëdhenj të Veriut, Lezhën dhe Shkodrën, përmes dy marionetave të saj që pak ditë më parë, nga asgjë, i bëri ministra në kulmin e krizës së saj. Emra të lidhur me linjën e saj politike si Ermal Nufi dhe Enea Karakaci shfaqen tashmë në Shkodër dhe Lezhë.

Ndërkohë, disa figura të tjera duket se kanë marrë një “pushim” nga qendrat kryesore të ndikimit.

Një nga lëvizjet më të dukshme është largimi i Elisa Spiropali nga drejtimi politik i Tirana. Qarku më i rëndësishëm elektoral kalon tani në duart e Taulant Balla, ndërsa bashkia e kryeqytetit i besohet Ogerta Manastirliu.

Edhe këtu ndjehet ndikimi i Ballukut, të cilës i faturohet shtypja politike e Spiropalit, ndërsa Balla kohët e fundit është lexuar si partner në strategjinë e Ballukut dhe Ramës ndaj lëvizjeve të SPAK.

Në Durrës, drejtimin politik e merr Blendi Klosi, duke zëvendësuar Emirjana Sakon.

Në Lezhë, drejtimi i kalon Ermal Nufit, njeriut të Ballukut, i cili zëvendëson Ulsi Manjën, ndërsa ky i fundit zhvendoset për të drejtuar qarkun Dibër, duke marrë vendin e Klosit.

Në Shkodër, drejtimi politik i besohet Enea Karakaçit, duke zëvendësuar Benet Becin.

Edhe Eduard Shalsi largohet nga drejtimi i Kukës, ku tashmë vendoset Erjon Malaj. Ai rikthehet në vendlindje, pasi u zgjodh më 11 maj deputet në Tiranë.

Në disa qarqe të tjera, Rama ka zgjedhur të mos ndryshojë balancat ekzistuese.
Në Elbasan konfirmohet Arbian Mazniku, në Berat Ervin Demo, në Fier Belinda Balluku, në Vlorë Bledi Çuçi, në Gjirokastër Mirela Kumbaro dhe në Korçë Niko Peleshi.

Një nga lëvizjet më ironike në këtë hartë të re është zhvendosja e Fatmir Xhafaj, i cili përfundon në Njësinë 5 në Tiranë, ku do të ndajë terrenin politik me Erion Braçe. Për një nga figurat më të vjetra dhe me peshë të socialistëve, kjo duket më shumë si një parkim i përkohshëm sesa një promovim, kur historikisht ka punuar në njësinë 10 në Tiranë.

Në thelb, riorganizimi i ri i qarqeve tregon më shumë për ekuilibrat e brendshëm të pushtetit në PS sesa për një strategji territoriale. Disa figura konsolidojnë pozitat, disa zhvendosen në periferi, ndërsa të tjerë mësojnë se në politikën e Ramës, gjeografia shpesh është edhe një mënyrë elegante për të rishkruar hierarkinë./vna