Socialisti Emmanuel Grégoire është zgjedhur kryetar bashkie i Parisit, duke mposhtur ish-ministren e krahut të djathtë Rachida Dati, ndërsa partia e Marine Le Pen, Tubimi Kombëtar (RN), e ekstremit të djathtë dhe anti-imigracion, dështoi të merrte në dorë qytetet kryesore të synuara në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të së dielës.
Kandidati i të Majtës së Bashkuar fitoi zgjedhjet me 50.52% të votave, nëntë pikë përpara rivales së tij Rachida Dati. Kandidatja e qendrës së djathtë mori 41.52% të votave, ndërsa Sophia Chikirou e La France Insoumise doli e treta me 7.96% të votave.
Grégoire bëri një xhiro fitoreje me biçikletë me këshilltarët e ardhshëm në Paris të dielën në mbrëmje për të treguar se kryeqyteti francez do të vazhdonte politikat e tij pro-çiklizmit dhe mjedisit.
“Ka shumë për të bërë dhe do të fillojmë nesër në mëngjes”, tha Grégoire, i cili ka një karrierë të gjatë në Bashkinë e Qytetit, ku punoi me ish-kryetaren e bashkisë socialiste, Anne Hidalgo.
Pas rezultatit të së dielës, Grégoire tha se kishte disa prioritete për kryeqytetin francez. Sipas tij Parisi do t’i rezistojë të djathtës dhe të djathtës ekstreme në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Dy mandatet e Macron si president përfundojnë pranverën e ardhshme dhe RN po renditet në nivele të larta në sondazhe.
“Parisi do të jetë zemra e rezistencës kundër kësaj aleance të së djathtës, e cila kërkon të na heqë atë që e kemi më të çmuar dhe të brishtë: gëzimin e thjeshtë të të jetuarit së bashku.”
Ndërkohë Nice, qyteti i pestë më i madh i Francës në Rivierën Franceze, bëhet fitorja më e madhe e së djathtës ekstreme të dielën me fitoren e Eric Ciotti-t, një ish-konservator i cili u bashkua me Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen.
Megjithatë, partia e Le Pen humbi në disa qytete që i kishte identifikuar si prioritete kryesore.
Kjo përfshin qytetin mesdhetar të Marsejës, qyteti i dytë më i madh i Francës, ku kryetari aktual i bashkisë i krahut të majtë Benoît Payan fitoi ndaj kandidatit të Tubimit Kombëtar, Franck Allisio.
Politikanët e ekstremit të djathtë kanë humbur ndaj rivalëve kryesorë në qytetet jugore të Nîmes dhe portin e Toulon, një bazë e madhe detare në Mesdhe, të cilat ishin dy objektiva kyçe për Tubimin Kombëtar.
Më shumë se 1,500 qytete dhe qyteza votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të dielën, që shihet si një provë e temperaturës politike para zgjedhjeve presidenciale.







