Ballina Ekonomia Subjektet e naftës dhe institucionet në garë me kohën për anëtarët e...

Subjektet e naftës dhe institucionet në garë me kohën për anëtarët e Bordit të Transparencës

85
0

Data 24 mars shënon afatin e fundit ligjor që bizneset e hidrokarbureve dhe institucionet shtetërore të dorëzojnë emrat e përfaqësuesve të tyre në Bordin e Transparences dhe Kufizimit të Çmimeve. Ky detyrim buron nga Vendimi i Qeverisë nr. 186, i cili shpalli “situatën e veçantë” në tregun e naftës dhe gazit për shkak të krizës globale.

Ultimatumi i Ministrisë së Ekonomisë

Sipas pikës 3 të vendimit të Këshillit të Ministrave, të gjitha subjektet e licencuara për tregtimin me shumicë dhe pakicë, si dhe institucionet e përcaktuara në ligj, duhet të njoftojnë pranë Ministrit të Ekonomisë përfaqësuesit e tyre brenda ditës së nesërme.

Ky bord do të ketë rol vendimmarës në përcaktimin e çmimeve tavan për shitjen e karburanteve në vend; monitorimin e marzheve të fitimit për të parandaluar spekulimet; garantimin e furnizimit të pandërprerë me karburant në kushtet e pasigurisë në bursa.

Çmimet e detyrueshme, nuk do të ketë tolerime

Qeveria ka bërë të qartë se çmimet që do të shpallen nga ky Bord do të jenë të detyrueshme për çdo pikë karburanti në territorin e Republikës së Shqipërisë. Çdo subjekt që do të operojë jashtë këtyre fashave, do të përballet me penalitete të rënda administrative, deri në heqje licence, sipas legjislacionit në fuqi për situatat e veçanta.

Kush duhet të njoftojë deri nesër?

Subjektet e tregtimit me shumicë (importuesit kryesorë).

Përfaqësuesit e tregtimit me pakicë.

Institucionet përgjegjëse (Ministria e Infrastrukturës, Financave dhe Doganat).

Ky rikthim i Bordit vjen në një moment kritik, ku çmimi i naftës Brent ka kapërcyer pragun e 112 dollarëve për fuçi dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit kërcënojnë furnizimin global.