Ballina Europë Alarm për bomba në 94 shkolla në Itali, emaili anonim kërcënon: “Kemi...

Alarm për bomba në 94 shkolla në Itali, emaili anonim kërcënon: “Kemi ardhur t’ju shkatërrojmë”

95
0

Një valë kërcënimesh me bomba ka përfshirë shkollat italiane mëngjesin e kësaj të mërkure, duke shkaktuar panik mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Dhjetëra institucione arsimore në qytete të ndryshme të vendit kanë marrë një email kërcënues, ku paralajmërohej vendosja e lëndëve shpërthyese brenda ambienteve shkollore.

Mesazhi është dërguar pothuajse njëkohësisht në shkolla të Romës, Milanos, Napolit, Bolonjës dhe qyteteve të tjera italiane. Sipas raportimeve të mediave vendase, të paktën 94 institucione arsimore janë përfshirë në këtë valë alarmesh, ndërsa numri i shkollave të prekura mund të jetë edhe më i lartë.

“Kemi ardhur t’ju asgjësojmë. Do të kryejmë një gjenocid kundër italianëve”, thuhej në mesazhin kërcënues, të nënshkruar nga një person që prezantohej si Mikhail Andropov, drejtues i një grupimi të vetëshpallur.

Autori pretendonte se kishte vendosur brenda shkollave një pajisje të fuqishme shpërthyese, të fshehur në një qese plastike, e cila mund të aktivizohej në distancë. Në të njëjtin mesazh përfshihej edhe një kërcënim ndaj kryeministres italiane, duke pretenduar se një bombë ishte vendosur në automjetin e saj.

Menjëherë pas marrjes së emaileve, drejtuesit e institucioneve arsimore kanë njoftuar autoritetet. Në disa shkolla mësimi është ndërprerë dhe nxënësit janë evakuuar në ambiente të sigurta, ndërsa forcat e policisë dhe specialistët e eksplozivëve kanë nisur kontrollet.

Hetuesit po verifikojnë origjinën e mesazheve dhe mundësinë që pas tyre të fshihet një operacion i koordinuar për të përhapur frikë dhe pasiguri. Deri në raportimet e fundit, nuk ka konfirmim për gjetjen e ndonjë pajisjeje shpërthyese në shkollat e përfshira.

Ngjarja vjen vetëm nëntë ditë pas një alarmi të ngjashëm, kur më 2 nëntor, 271 shkolla italiane morën mesazhe kërcënuese për bomba. Edhe atëherë u kryen evakuime dhe kontrolle, ndërsa disa prej alarmeve rezultuan të rreme.

Përsëritja e këtyre kërcënimeve ka ngritur shqetësime për sigurinë e institucioneve arsimore në Itali, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbulojnë personat që qëndrojnë pas mesazheve dhe nëse incidentet kanë lidhje me njëri-tjetrin.