Ballina Kosovë Rreth 2, 900 zyrtarë publikë deklaruan pasurinë

Rreth 2, 900 zyrtarë publikë deklaruan pasurinë

83
0

Derisa kanë mbetur edhe një javë deri në përfundim të afatit ligjor për deklarimin e pasurisë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se deri sot, 2, 876 subjekte deklaruese e kanë përmbushur këtë obligim ligjor, nga 1 janari kur ka filluar të rrjedhë ky afat.

“Deri në këtë fazë të procesit, janë 2876 subjekte deklaruese që e kanë përfunduar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre janë në proces të plotësimit të formularit elektronik. Sipas të dhënave aktuale, janë 1964 zyrtarë që kanë nisur deklarimin dhe janë ende në proces, ndërsa pjesa tjetër subjekte deklaruese nuk e kanë filluar ende përmbushjen e këtij obligimi ligjor”, thuhet në njoftim.

Nga përditësimet e fundit të bëra sot në sistem, APK-ja thotë se numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese që i nënshtrohen këtij obligimi në Kosovë për këtë cikël është 10353 zyrtarë të lartë publikë.

“Në përputhje me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave, të gjithë personat zyrtarë që i nënshtrohen këtij obligimi janë të detyruar ta kryejnë deklarimin brenda afatit të përcaktuar me ligj”, thotë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

APK-ja u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve që ende nuk e kanë përfunduar deklarimin, që ta kryejnë këtë obligim sa më parë, brenda afatit ligjor, duke kontribuar, sipas tyre, në forcimin e transparencës dhe integritetit institucional.

“Deklarimi i pasurisë brenda afatit ligjor është një element kyç për ndërtimin e besimit publik dhe për forcimin e kulturës së integritetit në institucionet e Republikës së Kosovës”, thotë drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit,  Yll Buleshkaj.

Agjencia ka rikujtuar se mosdeklarimi brenda afatit, vonesa apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje të obligimeve ligjore dhe sanksionohen sipas legjislacionit në fuqi.

“Sanksionet përfshijnë gjoba, kallëzim penal dhe masa të tjera ligjore, ndërsa në raste të caktuara mund të shqiptohen edhe dënime me burgim dhe konfiskim të pasurisë së padeklaruar”, thuhet në njoftimin e APK-së.