Ballina Aktualitet ‘Paketa e Maleve’, pa inventar pronash/ Si ringjallja rurale po kthehet në...

‘Paketa e Maleve’, pa inventar pronash/ Si ringjallja rurale po kthehet në konflikt pronësie

65
0

Shpëtim Krasta, një fermer i fshatit Gurras në Pogradec nuk do ta kishte menduar ndonjëherë se pemët e tij të qershive do të priteshin “ditën për diell” me një vendim të bashkisë.

Në janar 2026, ai u njoftua nga familjarët se dikush që iu paraqit si qiramarrës i zyrtarizuar nga bashkia i 4.5 hektarëve tokë në fshatin e tij nisi të priste pemët frutore të mbjella nga fermerët në tokat e njohura si prona të tyre e përfituar sipas ligjit nr. 7501 “Për Tokën“

”Ne, që në vitin 1991, me ligjin për tokën, disponojmë në gjendje faktike dokumentacionin origjinal të pronës. Aktualisht, si familje kemi në pronësi 850 m² tokë, e cila njëkohësisht ka qenë në përdorim të përhershëm që nga ndarja nga familja ime.

Akti i Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi (AMTP-ja) ka një shënim në të, por pavarësisht këtij fakti, përveç posedimit të pandërprerë, ne kemi paguar detyrimet për tokën dhe vijojmë t’i paguajmë, gjë që dokumentohet edhe me një vërtetim të vitit 2026”, thotë për FAKTOJE, Shpëtim Krasta

Problematika

Ky është vetëm njëri prej konflikteve të krijuara nga zbatimi i nismave të promovuara si ringjallje e zonave rurale si “Paketa e Maleve” dhe dhënia me qira e tokave publike për palë të treta, kryesisht investitorë strategjikë.

Në jo pak raste, banorët në disa fshatra kanë ngritur pretendime pronësie mbi sipërfaqe që institucionet i konsiderojnë si prona shtetërore dhe i ofrojnë ato për zhvillim turistik.

Në thelb të këtyre përplasjeve duket se qëndron një problem më i thellë institucional, mungesa e një inventari të plotë dhe të qartë mbi pronat publike dhe mbivendosjet e tyre. Kjo paqartësi mbi statusin e pronësisë ka bërë që vendimmarrjet për dhënien me qira të tokave të krijojnë konflikte të reja, tashmë midis pronarëve të vërtetë dhe qirramarësve të shtetit.

Paketa Maleve

Ndërkohë, siç raportohet nga Bashkia e Pogradecit, 253 aplikantë mbeten në pritje për “Paketën e Maleve”, në një kohë kur vetë bashkia mbetet e paqartë mbi pronat e saj dhe administrata nuk ka reflektuar ende ndryshimet e kërkuara nga KLSH në vitin 2025, duke thelluar kështu konfliktet për pronësi mes pronarëve faktikë dhe qiramarrësve të pushtetit vendor.

Procesi

Bashkia e Pogradecit ka theksuar në përgjigjen zyrtare për këtë çështje se, përpara miratimit në Këshillin Bashkiak të dhënies me qira, zhvillohet konsultim publik dhe mblidhen informacione nga strukturat e njësive administrative dhe kryetarët e fshatrave për problematikat e mundshme të pronave.

Më pas kryhet regjistrimi i tyre në emër të bashkisë dhe vijon lidhja e kontratës së qirasë, ndërsa në rastet kur dokumentacioni është i plotë, kontrata lidhet në formë noteriale.

Megjithatë, banorët e fshatit Gurras (Zagorçanit) mohojnë të kenë pasur konsultime apo njoftime paraprake për këto procedura.

Reagimi

“Nuk jemi thirrur asnjëherë nga institucionet për të kryer verifikime mbi pronat dhe sinorët, apo për konsultim, qoftë edhe si banorë të zonës, lidhur me sipërfaqet publike të fshatit tonë. Familjes sonë i është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm, pasi janë prerë rreth 30 pemë qershie. Duke qenë se aktiviteti ynë familjar në zonën rurale lidhet kryesisht me bujqësinë, zënia e tokës sonë nga qiramarrësi i bashkisë dhe prerja e drunjve frutorë na ka lënë pa alternativa të tjera,”  shtoi Shpëtim Krasta.

KLSH

“Kërkohet një person nga ASHK-ja në krijimin e komisionit e qëllim inventarizimin dhe regjistrimin dhe përditësimin e inventarëve…”- KLSH.

“Nga auditimi rezultoi se Pogradec ka në total 3,775 pasuri sipas VKM-ve përkatëse, nga ku rezulton se nuk është bërë pasqyrimin në inventar dhe kontabilitet, nuk është ngritur grup pune për përgatitjen e dokumentacionit teknik të aseteve në pronësi dhe në përdorim, për të realizuar regjistrimin e pronave pranë ZVRPP (ASHK) Pogradec, nuk ka rakordim me ZVRPP (ASHK) Pogradec si dhe nuk ka krijuar komisionin e përbashkët në zbatim të VKM së nr.28 datë,27.01.2023 “Për përcaktimin e procedurave të hollësishme të përditësimit të listave të pronave shtetërore dhe rregullave për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve – ASHK ku kërkohet një person nga ASHK-ja në krijimin e komisionit me qëllim inventarizimin dhe regjistrimin dhe përditësimin e inventarve,” citohet në raportin e KLSH 2025.

Bashkia Pogradec në përgjigjen për FAKTOJE pranon se është ngritur dhe funksionon Sektori i Aseteve, por nuk jep të dhëna për numrin e pronave ende të painventarizuara apo për progresin e këtij procesi, duke lënë të paqartë nivelin e zbatimit të detyrimeve ligjore dhe rekomandimeve të KLSH-së.

Gjetjet

Në gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentohet gjithashtu se nuk ka një vlerësim të detajuar për secilën pronë, ndërsa në pasqyrat financiare paraqitet vetëm vlera bruto totale. Ky element mund të sjellë pasoja ekonomike, veçanërisht në dhënien me qira të pronave, pasi nuk dihet vlera reale apo kostot që mbart secila pronë.

“Nuk ka një regjistër kontabël ku të specifikohen analitikët e këtyre zërave si dhe nuk ka informacion për secilin aktiv në lidhje me datën e hyrjes ose marrjes në dorëzim, përshkrimin e aktivit, vlerën e blerjes, datën e daljes në përdorim, datë e skadencës, vlerën e shpenzimeve kapitale të mëpasshme që sjellin rritje të vlerës së aktivit, vendndodhjen, personin përgjegjës, vlerën e akumuluar të amortizimit, kohën e shërbimeve të mirëmbajtjes, vlerën e akumuluar të shpenzimeve të mirëmbajtjes, datën e daljes nga pronësia,”  shkruhet në raportin e KLSH

Edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka lënë disa rekomandime kryesore në këtë raport, zbatimi i tyre duket i kufizuar, ndërkohë që bashkia ka vijuar me procedurat për dhënien me qira të tokave, edhe pse inventarizimi nuk është përfunduar ende.

Ndër rekomandimet kryesore të KLSH-së ishte që:

“Titullari i Bashkisë Pogradec të merrte të gjitha masat e menjëhershme duke i kërkuar ASHK-së Korçë caktimin e një personi ekspert të fushës, që merret me Menaxhimin e Aseteve, me qëllim ngritjen e grupit të përbashkët për verifikimin dhe përditësimin e të gjitha pronave që ka Bashkia dhe NJA të transferuara në favor të tyre me VKM”

Megjithatë, siç pranohet nga vetë Bashkia, një komision i tillë nuk është ngritur, edhe pse KLSH e konsideron një ndër detyrimet kryesore.

Në përgjigjen zyrtare, institucioni thekson se ka bashkëpunim me ASHK Pogradec, por pa ngritur një strukturë të përbashkët, ku duhet të ishte i përfshirë edhe një ekspert i fushës.

Faktoje tentoi të kërkonte informacion zyrtar edhe nga ASHK Pogradec, por kjo e fundit nuk iu përgjigj detyrimit për dhënien e informacionit lidhur me procedurat e inventarizimit dhe regjistrimit të pronave, si dhe rolin e saj në komisionin ndërinstitucional që duhet të ngrihet.

Problematika

Mungesa e qartësisë institucionale dhe mosinventarizimi i plotë i pronave nuk e kanë ndaluar bashkinë të vijojë dhënien e tyre me qira. Edhe pse jo ende në kuadër të “Paketës së Maleve”, përmes vendimeve të Këshillit Bashkiak, sipërfaqe të konsiderueshme, kryesisht kullota dhe pyje, u janë dhënë me qira palëve të treta, duke sjellë përplasje mes banorëve dhe investitorëve qiramarrës.

Rrëfimet

Në të njëjtën situatë si Shpëtim Krasta ndodhet edhe Qazim Topalli, i cili ka tokën në të njëjtën parcelë me të.

Ai tregon se rreth 30 familjeve u janë cenuar pronat nga vendimmarrja e bashkisë Pogradec.

“Ne disponojmë 500 m² tokë me AMTP. Kur u bë ndarja e tokës, ishim 5 anëtarë përfitues. Toka ka qenë e mbjellë me pemë frutore, kryesisht qershi. Gjatë gjithë kësaj kohe ne e kemi pasur në përdorim faktik si familje dhe e kemi shfrytëzuar rregullisht.

Vetëm në muajin janar kuptuam se toka jonë i ishte dhënë me qira një personi tjetër nga bashkia. Ne disponojmë dokumentacionin e AMTP-së, si edhe vërtetim për pagesën e taksave. Mbi 30 familje janë prekur nga dhënia e tokave me qira, pasi sipërfaqet që ata kanë përdorur prej vitesh tani administrohen nga një sipërmarrës i panjohur për komunitetin, ndërkohë që shumica prej tyre disponojnë dokumentacion AMTP,”  tha për Faktoje, Qazim Topalli.

Faktoje disponon të plotë dokumentacionin e AMTP të familjeve të fshatit Gurras.

Reagimi

Në rast se për tokën e dhënë me qira nga Bashkia gjatë procesit paraqitet pronari i ligjshëm, sipas përgjigjes së Bashkisë Pogradec, sipërfaqja e dhënë me qira dhe pagesa përkatëse do t’i zbriten proporcionalisht investitorit qiramarrës.

Bashkia pranon se ka pasur edhe raste të tilla, ku është vepruar në këtë mënyrë.

“Në përgjigje të pyetjes sqarojmë se pavarësisht nëse banorët mund të kenë AMTP dhe nuk kanë regjistruar ato pranë ASHK-së, në të gjitha kontratat e qirasë që lidhen ka klauzolë që nëse gjatë kohës së kontratës dalin pronarë të ligjshëm të pasurisë objekt qiradhënieje, atëherë me anë të anekseve të kontratës kjo pasuri do të zbritet nga sipërfaqja totale e saj, duke zbritur proporcionalisht edhe pagesën vjetore të qirasë për pjesën e zbritur të sipërfaqes,” shpjegon Bashkia Pogradec

Boshllëku ligjor

Përplasjet mbi pronën po krijohen edhe si pasojë e boshllëkut ligjor dhe administrativ që ekziston mes realitetit në terren dhe regjistrimeve zyrtare.

Në shumë raste, toka të ndara me ligjin për tokën rezultojnë të paregjistruara në kadastër, çka bën që ato të figurojnë ende si pronë shtetërore në dokumentacionin zyrtar.

Kjo situatë krijon hapësirë për vendimmarrje të diskutueshme nga institucionet vendore.

“Ka shumë raste kur një pasuri e paluajtshme e llojit arë është ndarë me ligjin nr. 7501 “Për Tokën”, nëpërmjet një Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), por mund të figurojë në inventarin e bashkisë, pasi AMTP-ja përkatëse mund të mos jetë regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe për këtë pasuri mund të mos jetë lëshuar certifikatë pronësie.

Për aq kohë sa kjo pasuri ka një AMTP të vlefshme, pronar mbetet personi (familja bujqësore) që ka përfituar AMTP-në” – shprehet Endri Çela, avokat.

Në këtë rast, në ASHK prona figuron e regjistruar në emër të shtetit dhe bashkia mund ta japë me qira këtë pronë.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, pavarësisht nëse AMTP-ja është regjistruar ose jo në ASHK dhe pavarësisht nëse për pasurinë përkatëse është lëshuar certifikatë pronësie, për aq kohë sa kjo pasuri ka një AMTP të vlefshme, pronar mbetet personi (familja bujqësore) që ka përfituar AMTP-në dhe mosregjistrimi i saj nuk i cenon apo heq të drejtën e pronësisë këtij përfituesi,”  thotë për Faktoje avokati Endri Çela

Kush është pronari?

Në thelb të konfliktit për tokat e dhëna me qira qëndron një pyetje e thjeshtë, por thelbësore, kush është pronari i ligjshëm i pasurisë? Përtej procedurave administrative dhe praktikave të ndjekura nga institucionet, vlefshmëria e çdo kontrate qiraje lidhet drejtpërdrejt me këtë përcaktim.

“Nëse kemi një përfitues të ligjshëm me AMTP, pavarësisht nëse kjo AMTP është regjistruar ose jo në ASHK, vetëm ai ka të drejtë ta japë me qira këtë pasuri. Nëse kjo pasuri është dhënë me qira nga bashkia ose nga çdo subjekt tjetër, atëherë kontrata është e paligjshme. Si rregull, në kontratat e qirasë të bashkisë parashikohet që, nëse prona rezulton e përfituar me AMTP nga një person i tretë, ajo përjashtohet nga qiraja. Megjithatë, në praktikë ky nen jo gjithmonë zbatohet nga bashkia, duke mos i dhënë zgjidhje situatave konkrete,”  shton avokat Endri Çela.

Sipas avokatit Çela, kjo do të thotë se barra për të mbrojtur pronën i mbetet vetë qytetarit, i cili detyrohet fillimisht t’i drejtohet bashkisë dhe, në rast refuzimi, të ndjekë rrugën gjyqësore për të rimarrë një të drejtë që ligjërisht i takon.

Si është procedura

Procedura për dhënien e pronave me qira fillon nga Këshilli Bashkiak, i cili është organi që shqyrton dhe miraton vendimmarrjen mbi pronat publike, duke i hapur rrugë ekzekutivit (kryetarit të bashkisë) për të proceduar me palët e treta.

Megjithatë, edhe në Këshillin Bashkiak vendimmarrja shpesh shoqërohet me paqartësi dokumentare dhe mungesë të dokumentacionit të plotë për dhënien me qira të pronave. Këshilltari i pavarur Arbër Male thekson se mungojnë sqarimet teknike për aktet që paraqiten për miratim në këshill, ndërsa pranon se nuk ka një koordinim të plotë mes bashkisë dhe ASHK-së, çka po krijon konflikte të reja pronësore.

“Në relacionet e paraqitura nga Bashkia për dhënien e tokave me qira konstatohet mungesë e sqarimeve të plota mbi statusin juridik dhe teknik të parcelave, çka në disa raste ka sjellë konflikte mes banorëve dhe investitorëve.

“Në rastet kur konstatohen konflikte pronësore pas lidhjes së kontratave, bashkia duhet të rishikojë vendimmarrjen përmes një akti të ri, duke përjashtuar sipërfaqet në konflikt nga kontratat ekzistuese” – Arbër Male, Këshilltar në Keshillin Bashkiak

Evidentohet gjithashtu një moskoordinim ndërinstitucional mes Bashkisë dhe ASHK-së për sqarimin e statusit kadastral të pronave, ndërkohë që një pjesë e banorëve, edhe pse disponojnë AMTP, nuk kanë mundur të përfundojnë regjistrimin e pronës për vite me radhë.

Në të njëjtën kohë, disa toka janë marrë në administrim nga Bashkia, ndërsa vijojnë të shfrytëzohen nga përdorues që paguajnë taksat prej dekadash, duke ngritur pikëpyetje mbi drejtësinë e këtyre vendimmarrjeve. Këto problematika do të mund të ishin shmangur përmes një procesi të mirëfilltë konsultimi publik, i cili nuk rezulton të jetë zhvilluar, si në rastin e fshatit Gurras,”  thotë këshilltari Male.

Përgjigja e munguar  

Mes dokumenteve dhe vendimeve që kalojnë për miratim, shpesh mbeten pa përgjigje elementë thelbësorë mbi statusin e pronave dhe procedurat e ndjekura. Pikërisht mbi këto paqartësi ndalet edhe këshilltari i pavarur Arbër Male, i cili sjell në vëmendje disa nga problematikat më të dukshme që shoqërojnë këtë proces, të cilat përsëriten shpesh në procedura të ngjashme.

“Nuk është garantuar transparencë e mjaftueshme mbi ekzistencën e AMTP-ve apo proceseve gjyqësore për parcelat, duke sjellë shqetësime dhe konflikte në disa zona të Pogradecit.

Edhe rasti i fshatit Çërravë evidenton mungesë të reflektimit të interesit të komunitetit, ku dhënia e fondit kullosor për park fotovoltaik është bërë në kundërshtim me banorët dhe në një afat shumë të shkurtër kohor, rreth tre ditë nga konsultimi publik deri në miratimin e projekt-vendimit, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën, informimin dhe gjithëpërfshirjen.

Në rastet kur konstatohen konflikte pronësore pas lidhjes së kontratave, bashkia duhet të rishikojë vendimmarrjen përmes një akti të ri, duke përjashtuar sipërfaqet në konflikt nga kontratat ekzistuese,”  mbyll argumentin Arbër Male. /Faktoje