Ballina Europë Sllovaki: Të huajt duhet të paguajnë më shumë

Sllovaki: Të huajt duhet të paguajnë më shumë

62
0

Sllovakia po zbaton një sistem çmimesh të dyfishta për karburantet, i cili ka ngjallur mjafj diskutime. Që nga fillimi i kësaj jave drejtuesit e automjeteve me targa të huaja duhet të paguajnë 1.83 euro për litër naftë, rreth 26 cent më shumë se ata sllovakë. Kjo po shkakton irritim tek pikat e karburantit. Edhe Bashkimi Evropian ka paraqitur një ankesë për dyshime për diskriminim.

Me modelin e ri të çmimeve qeveria e kryeministrit Robert Fico synon të frenojë atë që quhet “turizëm karburanti”. Ditët e fundit disa pika karburanti, veçanërisht pranë kufirit me Poloninë, kanë mbetur pa karburant, sepse kishin ardhur shumë makina për t’u furnizuar në Sllovaki ku karburanti është më i lirë.

Në shkurt 2026 qeveria e Bratislavës shpalli “gjendje emergjence për naftën”. Kjo u shkaktua nga mosmbërritja e furnizimeve ruse me naftë përmes tubacionit Druzhba, i cili u dëmtua në janar nga një sulm rus në Ukrainë. Sipas qeverisë sllovake situatën po e përkeqëson edhe lufta në Lindjen e Mesme.

Zbritje gjatë pagesës

Mediat lokale raportojnë se modeli i ri i çmimeve po shkakton kaos në disa pika karburanti. Kjo sepse fillimisht edhe sllovakëve u shfaqet në monitorin e arkës çmimi i karburantit për të huajt dhe zbritja për ta aplikohet më pas gjatë pagesës. Operatorët e pikave të karburantit ankohen për punën shtesë që kjo sjell dhe për faktin se stacionet e vetëshërbimit po qëndrojnë të mbyllura deri në njoftim të mëtejshëm.

Kritika ka edhe nga Bashkimi Evropian. Gazeta ‘Hospodarske noviny’ citon një zëdhënës të Komisionit, i cili tha se BE e konsideron modelin e ri diskriminues dhe të paligjshëm. Nga njëra anë kemi diskriminim të bazuar në shtetësi; nga ana tjetër dëmtohet edhe tregu i përbashkët europian. / DW