Ballina Kosovë Kurti nga Parisi: Beogradi i ri ta njohë pavarësinë e Kosovës

Kurti nga Parisi: Beogradi i ri ta njohë pavarësinë e Kosovës

78
0

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në Paris se udhëheqja e re e Serbisë duhet ta pranojë realitetin e shekullit XXI: “Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”. Kurti foli të martën në një bashkëbisedim me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), në kuadër të Forumit të Paqes.

Kërkesa për Radoiçiqin

Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti tha se ky proces duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Ai kërkoi dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi arkitektin kryesor të sulmit ku u vra togeri Afrim Bunjaku.

Sipas Kurtit, Serbia duhet të heqë dorë edhe nga fushata kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Këtu ai përfshiu edhe përdorimin e kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Thirrje për pesë shtetet e BE-së dhe katër të NATO-s

Kryeministri u ndal edhe te zgjerimi i Bashkimit Evropian. Ai tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës i ka dhënë urgjencë të re këtij procesi. Sipas tij, kjo urgjencë nuk duhet të krijojë një Evropë ku disa vende mirëpriten e të tjerat mbeten në rrugë të paqartë.

Kurti u bëri thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së dhe katër shteteve të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ai tha se rrethanat në të cilat lindi shteti i Kosovës, përfshirë represionin, spastrimin etnik dhe gjenocidin, nuk mund të barazohen me lëvizjet separatiste.

Lista Studentore me gjuhën e vjetër të Beogradit

Deklarata e Kurtit vjen disa ditë pasi Lista Studentore, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi dhe i dha fund qeverisjes 14-vjeçare të Aleksandar Vuçiqit, dërgoi një delegacion në Kosovë. Pas vizitës, kandidati i kësaj liste, Fegja Dimoviq, e cilësoi Kosovën pjesë përbërëse të Serbisë. Lista Studentore ka bërë të ditur se politikën ndaj Kosovës do ta mbështesë në Kushtetutën e Serbisë.