31-vjeçari i kreu 3 nga vjedhjet ndërkohë që ishte në kërkim për një vjedhje me dhunë të kryer në Tiranë.
Si rezultat i punës intensive hetimore që kryhet për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar dhe në informacione të siguruara në rrugë operative, zbardhën disa vjedhje të kryera gjatë dy muajve të fundit dhe identifikuan autorin e dyshuar, shtetasin:
-T. H., 31 vjeç, banues në Skrapar.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, gjatë muajve shkurt dhe mars 2026, ka vjedhur orendi, pajisje dhe sende me vlerë, në 4 banesa, në Golem dhe Kavajë.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 4, Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se më datë 17.03.2026, në bashkëpunim me një tjetër shtetas, i ka vjedhur me dhunë një 28-vjeçari, 2 celularë dhe një shumë parash.
Veprimet procedurale për ndalimin e këtij shtetasi u kryen nga strukturat e DVP Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.







